Pagat në arsim po rriten, por ndikimi politik nuk po zvogëlohet

Shkup 18 maj – Pas një periudhe të gjatë kohore negociatash mes SASHK-ut dhe MASH-it më në fund u vendos që pagat e mësimdhënësve të rriten për 15%, dhe jo 20 sa kërkonin nga SASHK. Por, për paga më të larta e dinjitetin e mësimdhënësve, arsimi parashkollor, fillor e i mesëm kanë qenë në grevë për rresht dy javë të plota, pas gjithë kësaj revolte u arrit marrëveshja përfundimtare, me të cilën janë dakord dy palët. Megjithatë nga BDI përshëndesin këtë rritje historike të pagave në arsim, mes tjerash ata thonë që do të largohet ndikimi politik në arsim, me çfarë pranojnë qartazi se politika ka ndikim në arsim, shkruan Zhurnal.

Arsimi është shtylla kryesore e një shoqërie, përmes të cilës ndërtohet e ardhmja e ndritur apo vuloset fundosja e errët. Në vendin tonë çdoherë që flitet për cilësinë në arsim nuk ka se si të mënjanohet fenomeni i ndikimit politik në institucionet arsimore. Pastaj, rrjedhimisht institucionet arsimore partizohen nga parti politike që janë në pushtet dhe këta profesorë janë të obliguar të kalojnë sy mbyllur studentët që krahas indeksit me vete në ditën e provimit marrin edhe librezën partiake. Libreza partiake është vendimtare për notën që vendoset në librezën studentore. Ky fenomen ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në politizimin e arsimit dhe prodhimin e politikanëve të ardhshme të pa arsimuar mjaftueshëm.

Në vendet evropiane janë mësimdhënësit ata që paguhen e vlerësohen më shumë, prandaj edhe progresi i tyre ekonomik e social është në nivelin e dëshirueshëm e lakmueshëm edhe për qytetarët tanë, e kjo dëshmohet me faktin që pjesa më e madhe e të rinjve dëshirojnë të jetojnë në ndonjërin prej vendeve evropiane e jo në vendlindjen e tyre, këtu në Maqedoninë e Veriut.

A meritojnë mësimdhënësit paga më të larta?, është pyetje që nuk duhet parashtruar fare për faktin se është më së i nevojshëm stimulimi për punë me vullnet që pastaj të ketë rezultate më të mira që sigurisht janë në dobi të së ardhmes së vendit.

Megjithatë, pagat në arsim tani më janë rritur me pajtueshmëri të dy anshme prej 15%, sigurisht që nuk është e mjaftueshme vetëm kaq, por ajo që e cenon të ardhmen e arsimit është denigrimi që i bëhet përmes ndikimit politik, gjegjësisht partizimit të institucioneve arsimore, pasojat e të cilave janë shkatërruese për të ardhmen e vendit.

Sipas profesorit Xhelal Zejneli, arsimi shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është në një shkallë degraduese tronditëse.

“Politizimi dhe partizimi i skajshëm i arsimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Për t’u punësuar si mësues, si arsimtar, si profesor në shkollë të mesme, apo edhe si asistent dhe ligjërues në universitet, medoemos të jesh anëtar partie, ose të jesh në shërbim të partisë. Përndryshe, s’ke gjasa të punësohesh as edhe si mësues në ndonjë shkollë katundi. Pa kaluar nëpër listat e strukturave të mesme partiake, nuk mund të punësohesh as edhe si shërbëtor shkolle”, ka shkruar profesori Zejneli.

Ndërkaq, për veteranin e arsimit Xheladin Murati mungesa e cilësisë në arsim vjen kryesisht nga ndikimi politik.

“Ne flasim që politika të mos përzihet në arsim, politika të mos përzihet në organizimin e arsimit, politika të jetë jashtë arsimit, të behët departizimi i shkollës , depolitizimi arsimit, por këtu në fakt ndodhën e kundërta , partizimi edhe politizimi arsimit është skajshmërisht  më e pranishme se çdo gjë tjetër  dhe ka reflektime të sinqerta që ndikojnë në  rënien e cilësisë në arsim”, ka thënë Murati.

Ngjashëm për partizim në institucione arsimore kishin paralajmëruar ekspertët se ka me bollëk, sidomos edhe në arsimin e lartë që pas hapjes së Universitetit Nënë Tereza në Shkup, me çka shqiptarët përuruan Universitetin e tretë në vend që frymon shqip. Por, në Universitetin Nënë Tereza qysh në krye si rektor ishte vendosur kuadër partiak nga partia në pushtet BDI, e tutje duke vazhduar po me këtë ritëm.

Ndryshe, për rritjen e cilësisë në arsim nuk është e mjaftueshme vetëm rritja e pagave sepse këtë veçmë e meritojnë mësimdhënësit, madje edhe më shumë se kaq, por është e patjetërsueshme pastrimi institucioneve nga kuadrot partiak, të cilët mbi të gjitha kanë interesin e partisë e pastaj në rend të dytë ose fare të tretë interesin e ngritjes së cilësisë në arsim. Partizimi i arsimit mundëson që të pa arsimuarit mirëfilli të punësohen në institucione arsimore, apo thënë me fjalë të tjera ata që nuk kanë dije të japin dije.

Partitë politike e politizojnë dhe e partizojnë arsimin edhe duke emëruar drejtorë shkollash. Më pas, prej drejtorëve të shkollave partitë kërkojnë të jenë të dëgjueshëm, të jenë instrumente të tyre, t’i zbatojnë urdhrat, kërkesat, dëshirat, nevojat dhe interesat e tyre. Ndryshe, drejtorin, ose e ndërrojnë, ose nuk e rizgjedhin më.

Prandaj praktika e emërimeve partiake në institucione arsimore duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, sepse kjo është rruga e vetme përmes të cilës shkohet në një të ardhme me arsim sa më cilësor. /Zhurnal.mk