Osmani-Selakoviq: Shkëmbimi ekonomik-tregtar në mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në nivel historik

Shkup, 25 shkurt – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë arritën nivel historik të shkëmbimit ekonomik-tregtar në mbi një miliardë euro, që pritet të rritet me zhvillimin e nismës Ballkani i Hapur, vlerësoi shefi i diplomacisë së Serbisë Nikolla Selakoviq në konferencën e sotme të përbashkët në Shkup me kolegen e tij të Maqedonisë së Veriut dhe nikoqirin Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot ishte nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

“Gjatë bisedimeve u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve mike përmes takimeve të shpeshta dhe komunikimit të hapur, ku u theksuan pritshmëritë për realizimin e potencialeve për dinamizimin e bashkëpunimit jo vetëm dypalësh, por edhe rajonal”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Bashkëbiseduesit iu referuan mundësive për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, për rritjen e investimeve, për shkëmbim tregtar më të madh dhe partneritet në tërheqjen e interesit të investimeve të huaja në rajon.

“Kjo është një nga prioritetet kryesore të të gjitha nismave rajonale, pavarësisht se a bëhet fjalë për procesin e Berlinit apo Ballkanin e Hapur. Të krijojmë tregje të përbashkëta të ngjashme me tregun e përbashkët të BE-së, në mënyrë që t’u ofrohet bizneseve potencial për zhvillim të përshpejtuar”, theksoi Osmani.

Në këtë kontekst, ministrat biseduan edhe për përfshirjen në këto procese dhe se suksesi do të jetë shumë më i madh nëse përfshihen edhe vendet e tjera të rajonit, ku u dakorduam se këto nisma nuk janë zëvendësim i projektit evropian, por përkundrazi, përmes tyre rajoni përgatitet për një integrim më të lehtë në tregun e përbashkët evropian dhe në sistemin e rregullave dhe standardeve evropiane.

Bashkëbiseduesit e përshëndetën mbajtjen e takimit të parë të Komisionit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, të mbajtur në fillim të shkurtit 2022 në Beograd, dhe shprehën shpresën se avancimi i të drejtave të pakicave do të kontribuojë më tej në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimin.

Temë e pashmangshme e takimit ishte sulmi rus ndaj Ukrainës.

“Me kolegun Selakoviq u pajtuam se për momentin gjëja më e rëndësishme është ndërpritja e menjëhershme e veprimeve ushtarake, mbrojtja e popullatës së pafajshme, ndalimi i vuajtjeve dhe që t’i jepet shansë diplomacisë”,- theksoi Osmani.

Në konferencën për shtyp nuk u mundësuan pyetje të gazetarëve për ministrin serb, ndërsa në paraqitjen e tij nuk e njoftoi qëndrimin e Serbisë në lidhje me sulmin rus ndaj Ukrainës.

Në kuadër të vizitës u nënshkrua Marrëveshja për themelimin e Qendrës Kulturore-Informative në Shkup dhe Beograd, me bindjen se me këtë do të krijohen kushte për rritjen dhe forcimin e shkëmbimit dhe lidhjes kulturore ndërmjet qytetarëve.