Osmani qetëson – shtetasit tanë në Kabul janë të sigurt, drejt evakuimit

Shkup, 16 gusht – Pas përkeqësimit të situatës në Afganistan, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë aktivitete për mbrojtjen e shtetasve tanë në Kabul.

Ministri Bujar Osmani në paraqitje për media ka njoftuar se shteti nuk ka përfaqësues në Kabul dhe se qytetarët, të cilët janë me punë në Kabul, janë në proces të evakuimit.

Për këtë, ai tashmë ka realizuar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqisë dhe Katarit.

50 shtetas tanë tanimë janë përgatitur për të fluturuar nga aeroporti i Kabulit, ku 25 prej tyre janë në terminal – pak para fluturimit me ushtrinë amerikane. 25 të tjerët do të presin fluturimin e radhës dhe për momentin janë duke u regjistruar.

“Republika e Maqedonisë së Veriut që nga korriku ka tërhequr personelin e vetë ushtarak, diplomatik e civil, që do të thotë se shteti për momentin nuk ka përfaqësues të vetë në Afganistan. Nga e shtuna formova grup të punës për ndjekjen e punëve dhe aktiviteteve në terren për tërheqjen e qytetarëve tanë të cilët janë të angazhuar me punë në Afganistan dhe në çfarëdolloj baze private janë atje. Që nga e shtuna grupi i punës ka ndërmarrë në sërë aktivitetesh për të siguruar asistencë dhe për të siguruar tërheqjen e tyre nga Afganistani. Fillimisht kemi vënë kontakt me kompanitë që kanë marrëveshje me qytetarët tanë, që kanë angazhuar të njëjtit për punë dhe jemi në koordinim me ata. Kemi bërë kërkesë edhe te shtetet që kanë përfaqësi në Afganistan që të bëjnë asistencë në evakuimin e qytetarëve tanë. Një numër i tyre janë përgjigjur dhe kanë thënë se do të marrin parasysh edhe evakuimin e qytetarëve tanë. Personalisht kam kontaktuar edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kolegët e mi në Turqi dhe Katar”, tha Osmani, transmeton TV21.