Osmani në takim me Çavushogllun në Antalia

Antalija, 11 mars – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka realizuar takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çavushogllu, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias, i cili mbahet në Antalia, Turqi.

Siç njoftoi MPJ-ja, ministrat u dakorduan se të dyja vendet kultivojnë miqësi të kahmotshme, e këtë vit kur shënohen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, jubileu jep mundësi për të shikuar mbrapa dhe për t’i përmbledhur rezultatet e deritanishme.

Pjesë e pashmangshme e bisedës ishte situata në Ukrainë dhe agresioni i Federatës Ruse, me çka, Osmani theksoi se i vlerëson lartë përpjekjet e Ministrit Çavushogllu në ndërmjetësimin mes këtyre dy vendeve, me qëllim zgjidhjen e krizës ushtarake. Si aleatë të NATO-s ne jemi fuqishëm, të vendosur dhe të bashkuar rreth kësaj çështjeje, konkluduan të dy ministrat.

“Rëndësi më të madhe ka ndërprja e vuajtjeve të njerëzve në Ukrainë. Si anëtare e Treshes së OSBE-së, ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo mënyrë për të ndihmuar”, theksoi Osmani.

Në takim, vëmendje e posaçme iu kushtua bashkëpunimit jashtëzakonisht të mirë ekonomik mes dy vendeve, me ç’rast ministrat u zotuan për aktivitete që do të kontribuojnë në thellimin e lidhjeve të biznesit dhe tregtare, teksa Turqia si një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në vend është në interesin tonë të veçantë.