Osmani ka kërkuar ndihmë nga Turqia për tërheqjen eventuale të shtetasve tanë nga Afganistani

Shkup, 15 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka realizuar kontakt me kolegun e tij turk Mevlud Çavushogllu, prej të cilit ka marrë bindje se nëse ka nevojë, do të ndihmojnë gjatë tërheqjes së shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Afganistani.

“Duke marrë parasysh se Republika e Turqisë ka prani të gjerë diplomatike dhe logjistike në Kabul, kërkova asistim eventual nëse paraqitet nevoja për tërheqjen e qytetarëve tanë aty. Mora bindje nga kolegu Çavushogllu se prania e tyre në Kabul është stabile, se disponojnë me kapacitet të majftueshëm logjistik për transfer të qytetarëve të tyre dhe se do ta marrin parasysh, nëse paraqitet nevoja, të ndihmojnë edhe gjatë tërheqjes së qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani në Fejsbuk.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se në Afganistan ka rreth 100 shtetas tanë, por tani për tani të gjithë janë në lokacione të sigurta.

Ndryshe, talebanët kanë arritur deri në periferinë e Kabulit, kryeqytetin e Afganistanit dhe sipas informatave, “presin transfer të qetë të qytetit”.