Osmani dhe Mariçiq në Paris në takim me Kleman Bon

Shkup, 1 shkurt – Zëvendës kryetari i Qeverisë  për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nesër do të qëndrojnë për vizitë pune në Paris, ku do do të realizojnë takim me Kleman Bon, sekretarin shtetëror për Çështje Evropiane në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Francës.

Mariçiq dhe Osmani, siç kumtoi MPJ, do të takohen edhe me Isabella Dumon, këshilltare diplomatike për Evropën Kontinentale dhe Turqinë e presidentit të Francës, Emanuel Makron.

Në fokus të të bisedimeve do jetë dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, nën prizmin e Presidencës aktuale franceze me Këshillin e Bashkimit Evropian, ndërsa pritet të shkëmbehen mendime edhe për sfidat e tjera aktuale rajonale dhe globale. Gjatë vizitës është paraparë takim edhe me Senatorin, Rober Badenter, informuan nga MPJ.