Osama bin Laden ishte ‘i etur për të përsëritur 11 Shtatorin’ – zbulohen detaje nga letrat e sekuestruara nga ekipi që ekzekutoi liderin e Al-Kaedës

Osama bin Laden kishte qenë “shumë i etur për të përsëritur sulmet e 11 Shtatorit” kundër SHBA-së – dhe në mënyrë aktive komplotoi të hidhte në erë cisternat e naftës, të dëmtonte shinat dhe të përdorte aeroplanë privatë si armë, sipas një numri dokumentesh të sekuestruara.

Komplotet u përshkruan në më shumë se 500,000 letra dhe dosje të sekuestruara nga ekipi i Navy SEAL që ekzekutoi liderin vrasës të Al-Kaedës në vitin 2011, sipas Nelly Lahoud, një studiuese që kaloi vite duke studiuar me kujdes ato, shkruan New York Post, përcjell Telegrafi.

Ato tregojnë se terroristi ishte “shumë i etur për të përsëritur sulmet e 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara”, tha Lahoud, një bashkëpunëtore e lartë në Programin e Sigurisë Ndërkombëtare të Amerikës.

Bin Ladeni ishte “i vetëdijshëm” se siguria ishte bërë “shumë e madhe në aeroporte” pas sulmeve të tij monstruoze të 11 Shtatorit – dhe kështu u tha pasardhësve të tij që në vend të kësaj të merrnin parasysh marrjen me qira të aeroplanëve privatë për të sulmuar SHBA-në.

Duke e ditur se do të ishte gjithashtu e vështirë, ai përshkroi gjithashtu një plan të detajuar për të masakruar udhëtarët amerikanë në një tren.

Ai donte që të “shkëputeshin” rreth 12 metra metra binarë në mënyrë që një “tren të mund të dilte nga shinat”, tha Lahoud, e cila analizoi së pari dokumentet për Qendrën e Luftimit të Terrorizmit në West Point.

“Dhe ne e gjejmë atë duke shpjeguar pakon e thjeshtë të mjeteve që ata mund të përdornin. E dini, tha ai ‘mund të përdorni një kompresor. Mund të përdorni një mjet për shkrirjen e hekurit’”, tha ajo, duke vënë në dukje se si Bin Laden kishte një diplomë në inxhinieri.

Komplotet ishin të detajuara në letrat e vitit 2004, sipas Lahoun – e cila tha se terroristi ishte aq i frikësuar duke u fshehur pas 11 Shtatorit, saqë nuk komunikoi me pasardhësit e tij për tri vjet.

Në vitin 2010, një vit para vdekjes së tij, bin Laden komplotoi të shënjestronte shumë cisterna të naftës së papërpunuar dhe rrugët kryesore të transportit nëpër Lindjen e Mesme dhe Afrikë, përcjell Telegrafi.

Bin Laden e pa “rëndësinë e naftës për ekonominë e industrializuar” si “të ngjashme me gjakun për qeniet njerëzore”, thekson Lahoud.

“Pra, nëse i shkaktoni dikujt gjakderdhje të tepërt, edhe nëse nuk e vrisni, të paktën do ta dobësoni atë”, tha më tej ajo.

“Ai me të vërtetë donte t’ia bënte këtë ekonomisë amerikane”.