Optimizmi mund të jetë po aq i rëndësishëm sa ushtrimet për jetëgjatësi

Sipas një studimi të ri, optimizmi mund të jetë po aq i rëndësishëm sa ushtrimet për të rritur jetëgjatësinë. Studiuesit që ndoqën një grup prej 159.255 femrash, zbuluan se optimistët kanë më shumë gjasa të jetojnë më gjatë dhe të kalojnë 90 vjet sesa ata që janë më pesimistë.

Ekipi i studiuesve arriti në përfundimin se optimizmi shoqërohet me një rritje të jetëgjatësisë prej 5.4 për qind (që është e njëjtë me shtimin mesatar prej 4.4 vitesh jetë).

Kjo u vërtetua edhe kur u morën parasysh faktorë të tillë, si depresioni, gjendjet kronike shëndetësore dhe sfondi social dhe ekonomik.

“Ushtrimet njihen gjerësisht si faktor i rëndësishëm në shëndet dhe studimet kanë treguar se ushtrimet e rregullta shtojnë 0.4 deri në 4.2 vjet jetë. Prandaj, gjetjet tona sugjerojnë se ndikimi i optimizmit mund të jetë i krahasueshëm me ndikimin e stërvitjeve”, shpjeguan ekspertët

(Foto: Kasamba)

Studimi, i botuar në Journal of the American Geriatrics Society, zbuloi gjithashtu se lidhja midis optimizmit dhe jetëgjatësisë është e dukshme në të gjitha grupet racore dhe etnike.

Analiza e gjetjeve tregoi se femrat në grupin më optimist kishin 10 për qind më shumë gjasa të mbijetonin në moshën 90 vjeçare në krahasim ato që ishin më pak optimiste.

Ndërsa faktorët e stilit të jetesës, si aftësia e grave për të ushtruar ose për të zgjedhur ushqime të shëndetshme, kanë pasur njëfarë ndikimi në rezultat, njëherësh studiuesit kanë sugjeruar se edhe faktorë të tjerë janë në lojë.

Kjo mund të përfshijë llojet e rrjeteve mbështetëse që njerëzit kanë kur kalojnë periudha të vështira dhe aftësinë njerëzve për t’i zgjidhur vet problemet dhe për të minimizuar rreziqet për shëndetin e tyre.