Opozita në Maqedoninë e Veriut me kritika ndaj Qeverisë për ndërhyrje në gjyqësor

Shkup, 20 gusht – Pezullimi nga puna i prokurores për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska, dhe dorëheqja e drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, sipas opozitës shqiptare, janë dëshmi se institucionet për luftimin e krimit të organizuar janë nën ndikimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, thonë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria maqedonase duhet të japë dorëheqje, pasi argumentojnë se nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin, në veçanti për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi drejtësia është një sferat kryesore ku kërkohen rezultate.

Krerët e dy institucioneve kryesore për luftimin krimit të organizuar, Prokuroria dhe Policia Financiare tani një muaj janë në konflikt lidhur me punën e tyre për disa lëndë, përkatësisht nëse janë shkelur ose jo procedurat e hetimit, gjë që çoi në ngritjen e padive, pezullim nga puna të prokurores Ruskovska dhe dorëheqjen e shefit të Policisë, Arafat Muaremi.

“Suspendimin e Vilma Ruskovskës nuk e konsideroj si të tillë. Këtë e konsideroj pezullim të ligjit dhe pezullim të drejtësisë. Pavarësisht se ka pasur njoftime se rastet do të vazhdojnë me intensitet të pandërprerë, pas kësaj që më ndodhi, nuk besoj se ndonjë koleg do të vazhdojë seriozisht të veprojë për to”, tha të premten, më 19 gusht, prokurorja e suspenduar, Vilma Ruskovska, e cila edhe më parë publikisht kishte shprehur kritika për përfshirjen e politikës në punën e gjyqësorit.

Akuzë të njëjtë ndaj pushtetit e bëjnë edhe partitë opozitare.

“Bëhen pazare politike me drejtësinë, ku në një aferë të këtillë njëri nga të dyshuarit kalon me dorëheqje, kurse prokurorja që ka ndjekur të dyshuarin shkarkohet apo merren masa disiplinore. Ndërsa, dyshimi për krimin mbetet i mbuluar me pluhur, i pazgjidhur dhe i anashkaluar. Deri tani kemi pasur edhe shumë raste tjera kur krimi është anashkaluar pa marrë epilog si dhe afera tjera që kanë përfunduar me shkarkimin e zyrtarëve më të lartë shtetërorë”, thotë Arben Zeqiri, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.

“Pra, është një Qeveri e cila erdhi në emër të drejtësisë, erdhi në emër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa tani po shoqërohet me aferat më të rënda korruptive në historinë e vendit që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me gjyqësorin, me Prokurorinë, me afera korruptive të zyrtarëve më të lartë qeveritarë”, shton Zeqiri.

Nga Qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski nuk kanë komentuar akuzat e opozitës, por as konfliktin mes dy institucioneve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq më 17 gusht tha se “për Qeverinë është me rëndësi që të caktohet pasardhësi i Vilma Ruskovskës nga prokurori republikan Lubomir Joveski” dhe rasti të marrë epilog nga institucionet gjyqësore.

Prokuroria kundër krimit dhe korrupsionit, që drejtohej nga Vilma Ruskovska, kishte urdhëruar bastisjen e zyrës së drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, nën pretendimet se ai nuk kishte vepruar gjatë një denoncimi të bërë nga një qytetar për një objekt afarist.

Por, Prokuroria Republikane – institucioni më i lart për ndjekjen penale – më 16 gusht pezulloi nga puna Ruskovskën, pasi tha se kishte urdhëruar bastisjet në zyrën e Muaremit në kundërshtim me ligjin.

Megjithatë, heshtja e institucioneve për këtë rast nuk arsyetohet, thotë Gordan Kallajxhiev, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Shkupit.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dyshime serioze për përfshirjen e politikës në këtë rast, sikur edhe në raste tjera, që sipas tij, janë dëshmi se “sistemi i drejtësisë ndodhet në krizë serioze”.

“Është e qartë se krimi i organizuar ka lidhje serioze me elitën politike andej janë të mundshme këto kombinime të pazakonta dhe lobime në organet e larta të drejtësisë, siç janë Policia Financiare, Prokuroria e krimit të organizuar, e kështu me radhë. Shqetësuese është mënyra se si shteti nuk reagon në zbatimin e ligjeve në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Heshtja e institucioneve, e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtuesve tjerë është për t’u habitur. Pra, kemi rrënim të sistemit të drejtësisë. Sikur të isha në vendin e presidentit të Republikës do të thërrisja edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasi është një krizë e thellë. Kemi një përplasje të madhe, të pazakontë dhe shumë serioze për të cilën nuk duhet të heshtet”, thotë Kallajxhiev.

Ai kritikon edhe në punën e prokurorit republikan, Lubomir Joveski, që pezulloi nga puna prokuroren e krimit të organizuar, dhe profesorit Kallajxhiev, kjo gjë ngre dyshime pasi në vend që të vihet në mbrojtje të prokurores Ruskovska dhe ta ndihmojë në hetimin e rastit, Juveski e pezullon nga puna.

Kallajxhiev ngre dilema nëse Joveski është nën presionin e pushtetit për faktin se është një nga kandidatët për t’u zgjedhur për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, Albert Musliu, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo që po ndodh me institucionet e drejtësisë reflektohet negativisht te qytetarët. Prandaj, sipas tij duhet të bërë çmos që konflikti të zgjidhet në kuadër të institucioneve.

“Të gjitha dilemat që kanë institucionet duhet t’i zgjidhin mes vete dhe jo t’i nxjerrin në opinion. Kjo te qytetarët shkakton huti, dhe nëse kjo vazhdon do të rritet edhe mosbesim te ta. Uroj që kjo që ka ndodhur të zbardhet sa më shpejt që të shohim se ku qëndron përgjegjësia sepse nëse përcaktohet përgjegjësia individuale, gjithsesi se kjo rris edhe besimin në institucione. Askush në këtë vend nuk është mbi ligjet. Gjithë këto përplasje apo paqartësi paraqiten ose kur procedurat nuk janë mirë të përcaktuara, ose kur ato nuk respektohen”, thotë Musliu.

Në Maqedoninë e Veriut për katër vjet janë shkarkuar dy prokuroret më të lartë në vend. Më parë prokurorja speciale, Katica Janeva, u pushua nga puna dhe u dënua me burg për shpërdorim detyrës, ndërsa, tani edhe Vilma Ruskovska.

Profesori i së Drejtës Penale, Gorgan Kallajxhiev thotë se ky fakt kjo flet se në Maqedoninë e Veriut krimi i organizuar është më i fuqishëm se organi i ndjekjes penale.//REL