Opinion nga Andi Lila/ Frymëzimi vjen nga Maroku, koha që Shqipëria të synojë Botërorin
Maroku dhe Kroacia janë një shembull që duhet t’i kemi si pikënisje për të parë ekipin tonë kombëtar në nivele botërore.
Maroku– Asnjë ekip afrikan nuk ka arritur ndonjëherë kaq larg në një Kupë Bote (gjysmëfinale), kur shumë kombëtare të tjera si Brazili, Spanja, Gjermania që e kanë fituar kupën, në Botëror nuk arritën të paraqiten aq mirë sa Maroku.
Kroacia- Kur mendon të gjithë rrugëtimin e këtij brezi, skuadra kroate ka lënë një shenjë të madhe në Kupën e Botës, me një prezencë në gjysmëfinale në Katar, dhe arritjen e madhe në finalen e para katër viteve në Rusi.
Kjo është një trashëgimi e jashtëzakonshme, kur mendon që ky vend me vetëm 4 milionë banorë arrin në të tilla nivele.
Pra kur Maroku dhe Kroacia kanë bërë kaq mirë, edhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të shkojë në një kampionat Botëror dhe mendoj ka ardhur koha që kjo të ndodhë.
Futbollistët e Marokut janë lindur dhe rritur në Europë, me kulturën e futbollit europian dhe e përfaqësuan denjësisht vendin e të parëve të tyre.
Ekzaktësisht kjo gjë ndodh edhe me ne shqiptarët që femijët i lindën dhe u rritën në europë, kemi futbollistë që luajnë me skuadra të nivelit shumë të lartë , në 4-5 kampionatet më të forta të botës.
Kroacia ka 4 milionë banorë, ne shqiptarët jemi 3 milionë që jetojmë në Shqipëri dhe 7 milionë anë e mbanë botës, pra numrat flasin në favorin tonë.
Botërori i ardhshëm zhvillohet në Amerikë-Kanada-Meksikë dhe do të jetë me 48 skuadra, një mundësi e artë për Shqipërinë të ketë një biletë Botërori!
Shpresoj shumë që të bashkohen të gjithë komponentët, përfshirë edhe fatin, që të arrijmë të realizohet ëndrra e çdo shqiptari, kudo e në çdo anë të globit ku ai ndodhet, të krenohemi dhe të jemi fansa të ekipit tonë përfaqësues si në Euro 2016.

