Onlajn konferencë “Qasja e bazuar në të drejtat e njeriut gjatë kohës së krizës së Kovid-19”

Shkup, 24 mars – Onlajn konferencë e organizuar në kuadër të projektit “Qasja e bazuar në të drejtat e njeriut gjatë kohës së krizës Kovid-19”, e mbështetur nga Trusti ballkanik për demokraci, Fondi gjerman i Marshallit të SHBA-së dhe USAID do të mbahet sot përmes platformës zoom.

“Në konferencë do të prezantohen aktivitetet që do të realizohen në korniza të projektit duke përfshirë fokus-grupet e mbajtura me përfaqësuesit nga organizatat qytetare që punojnë me grupet margjinale të qytetarëve, dy raporte të monitoringut që kanë për qëllim të analizojnë masat qeveritare, strategjitë dhe politikat që përfshijnë zbatimin e qasjes të bazuar në të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të drejtës së shëndetit dhe mbrojtjes shëndetësore dhe të drejtën e arsimit si të drejta më të cenuara gjatë kohës së pandemisë si dhe onlajn kursi i krijuar i IPD Akademia për e-mësim”, kumtoi Instituti për të drejtat e njeriut që është organizator i konferencës.

Hulumtimi “Arsimi në kohë të pandemisë”, shtojnë ata, ka për qëllim të prezantojë përparësitë dhe sfidat me të cilat janë përballuar nxënësit dhe mësuesit gjatë realizimit të mësimit në distancë me qëllim që shteti të mund të nxjerrë rekomandime si të veprohet në të ardhmen nëse paraqitet nevoja që mësimi të zhvillohet në distancë.