OBSH bën thirrje për shtyrjen e aplikimit të dozave përforcuese, për të përshpejtuar vaksinimin në vendet më të varfra
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje të mërkurën për shtyrje të aplikimit të dozave të treta të vaksinës kundër coronavirusit, në mënyrë që ato vaksina të mund të vihen në dispozicion nga vendet, që kanë qenë në gjendje të vaksinojnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së tyre.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Ghebreyesus iu tha gazetarëve se megjithëse “qindra miliona njerëz janë ende duke pritur për dozën e tyre të parë, disa vende të pasura po lëvizin drejt dozave përforcuese” – një dozë që administrohet pas një kursi të plotë të vaksinimit.
Disa vende sikurse Franca, Gjermania dhe Izraeli, kanë filluar të administrojnë doza përforcuese. Britania e Madhe dhe SHBA-ja thuhet se po e konsiderojnë gjithashtu administrimin e dozave përforcuese.
Ghebreyesus ka deklaruar se OBSH po bën thirrje për shtyrje deri të paktën në fund të muajit shtator, për të mundësuar që të paktën 10 për qind e popullsisë të secilit vend të jetë vaksinuar.