OBRM-PDUKM dhe LSDM, me parashikime se kush do t’i fitojë dhe kush do t’i humbas zgjedhjet

Shkup, 22 gusht – OBRM-PDUKM-ja opozitare thotë se LSDM-ja ende nuk ka kandidatë për kryetarë komunash në komunat e mëdha pasi, sipas tyre, askush nuk dëshiron t’i humbas zgjedhjet. Ata pretendojnë se sipas sondazheve, LSDM-ja humb.

“LSDM ende nuk ka kandidat për kryetar të komunës së Velesit sepse askush nuk dëshiron të jetë viktimë. Disa anëtarë të shquar tashmë kanë refuzuar udhëheqjen e LSDM-së sepse ata nuk duan të drejtojnë garë paraprakisht të humbur në Veles. Askush nuk dëshiron të shkojë në Prilep pa doreza garimi”, njoftojnë nga OBRM-PDUKM.

OBRM-PDUKM-ja ballafaqohet me probleme me kandidatët, shprehen nga LSDM. Ata thonë se oferta e tyre nuk sjell aspak risi por se bëhet fjalë për njerëz nga regjimi i Gruevskit.

“Nuk kemi dëgjuar kandidat për kryetar të komunës nga OBRM-PDUKM për Qytetin e Shkupit dhe kjo vetëm tregon se OBRM-PDUKM gëzon shumë pak besim në kryeqytet dhe ata e dinë këtë. “Ne jemi partia e parë në vend që shpallim 30 kandidatët e parë për kryetar komune më 17 korrik”, thonë nga LSDM.

Dhe ndërsa zgjasin përplasjet e partive, po bëhen kombinimet për koalicionet. Javën e ardhshme pritet zyrtarizimi i mbështetjes midis OBRM-PDUKM-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, megjithëse nga Aleanca për Alsat thonë se negociatat ende vazhdojnë.

“Po flasim për modelin e bashkëpunimit dhe komunat ku bashkëpunimi do të ishte më i suksesshëm dhe më frytdhënës. Ne do i mbështesim kandidatët që kanë integritet dhe janë të pranueshëm për të gjitha komunitetet dhe që kanë vizion dhe program të qartë për zhvillimin e komunave dhe sigurimin e një jete dinjitoze dhe të denjë për qytetarët”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe, garnitura aktuale në pushtet LSDM, BDI, BESA dhe PDSH shpallën koalicion zgjedhor. Kreu i LSDM -së, Zoran Zaev, tha në disa raste se në disa komuna do të mbështesin njëri -tjetrin në raundin e parë, ndërsa në disa në raundin e dytë.