Nxënësit kthehen në bankat shkollore, fillon gjysmëvjetori i dytë

Shkup, 1 shkurt – Pas pushimit dimëror një muaj, rreth 255 mijë nxënës sot kthehen në bankat shkollore për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2021/2022. Për shkak të gjendjes së përkeqësuar epidemiologjike dhe vlerësimit se vendi gjendet në majë të infektimit me KOVID-19, mësimi nuk filloi më 20 janar dhe ishte vazhduar për dhjetë ditë sipas rekomandimit të Shtabit kryesor koordinativ të krizave dhe me vendim të Qeverisë.

Edhe krahas fillimit të prolonguar, viti shkollor 2021/2022 do të përfundojë më 10 qershor të vitit 2022 dhe për atë qëllim Qeveria në seancë e miratoi numrin e ditëve mësimore në rrethana të jashtëzakonshme. Në të gjitha shkollat (fillore dhe të mesme) janë konfirmuar 172 ditë mësimore, përveç për nxënësit e shkollave të mesme në vitin e fundit për të cilët janë konfirmuar 158 ditë mësimore për shkak të obligimeve të tyre për maturën shtetërore dhe provimet eksterne të caktuara për më 4 dhe 13 qershor.

Qëndrimi i kompetentëve në shëndetësi dhe arsim është viti shkollor, sikur në gjysmëvjetorin e parë, të vazhdojë me prani fizike, me zbatimin e protokolleve kundër Kovid-19, ashtu që edhe më tutje rezervë mbesin dy skenarët tjerë që ishin përgatitur në verë – mësimi nga distanca dhe mësimi i kombinuar me rotacione të nxënësve në paralelen e njejtë.

Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare këto ditë kërkuan që Qeveria ta rishqyrtojë vendimin dhe mësimi të vazhdojë onlajn sepse janë të larta shifrat e të infektuarve me Kovid-19, të shpeshta janë edhe riinfektimet për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit omikron.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, vendimi është sjellur pasi është vlerësuar se gjendja epidemiologjike lejon mësim me prani fizike.

Edhe ministri kompetent Jeton Shaqiri tha se gjendja gjatë gjithë kohës do të ndiqet dhe MASH do të jetë në komunikim të përhershëm me Komisionin për Sëmundje Infektive dhe me Shtabin e Krizave.