Nxënës pak, shpresë edhe më pak, ku do të shpie kjo gjendje e mjerueshme?
Shkup, 18 maj – Çdo ditë dëgjohet e lexohet për shqetësimin më të madh që e ka kapluar vendin, ikje nga çdo qytet e fshat. Numri i nxënësve bie e bashkë me këtë rënie bie edhe niveli i shpresës se mund të ketë jetë në këtë vend. Ikje e hovshme e vrullshme dhe me pasoja të mëdha, shkollat po zbrazen gjithandej vendit, kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vetëm në një vit shkollor, numri i nxënësve në arsimin fillor është zvogëluar për 1015 nxënës, ndërsa ai i shkollave të mesme për 1798. Këto shifra flasin shumë për gjendjen reale, për të cilën vazhdimisht flitet por asesi të gjendet një zgjidhje e përshtatshme apo masë parandaluese të këtij fenomeni. Qeveria dhe institucionet përgjegjëse të përgjumura përballë këtij fenomeni famëkeq, pasojat e të cilit do t’i vërejmë në dekadat që vijnë. Ikja e të rinjve dhe atyre në moshë veçse ka ndikuar negativisht dhe dëmet kanë filluar të vërehen në praktikë, ku shteti ka nevojë të madhe të fuqisë punëtore, e këtë mungesë asesi nuk mund ta plotësojë me qytetarë të këtij vendi. Sepse, te të gjithë qytetarët dëshpërimi ka kaluar kufijtë e durimit dhe më askush nuk po pret e nuk po duron shkeljet e përditshme si dhe përdhosjen e mundit të punëtorëve. Pritjet se një ditë do të bëhet mirë në këtë vend janë zëvendësuar me pritje para ambasadave në radhë të gjata për ta marrë lejen në pasaportë për ta lëshuar sa më parë vendin, shkruan Zhurnal.
Çdo ditë e më shumë ulet numri i nxënësve nëpër shkolla, gjendje e frikshme –
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vetëm në një vit shkollor, numri i nxënësve në arsimin fillor është zvogëluar për 1015 nxënës, ndërsa ai i shkollave të mesme për 1798. Në fund të vitit shkollor 2021/2022, numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 184 910, që paraqet një rënie prej 0,6 % krahasuar me vitin paraprak. Në shkollat e mesme, numri i nxënësve në fund të vitit shkollor 2021/2022 ishte 69 378, që është një rënie prej 2,5 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor.
Shkolla në Raoviq nga 250 nxënës, sot ka vetëm 1 nxënës. Habibja është nxënësja e vetme e shkollës periferike “Emin Duraku” në fshatin Raoviq të Komunës së Sarajit. Ajo tashmë po ndjek mësimet në klasë të tretë. Pavarësisht se nuk e shoqëron asnjë fëmijë tjetër, dëshira e saj për të mësuar nuk u zbeh asnjëherë. Siç pëshpëriti ajo, shokë të ngushtë tashmë ka mësuesit që thotë se nuk i mungojnë as edhe një ditë. Në klasën ku mëson Habibja, mësuesja dhe mirëmbajtësi i shkollës janë munduar të sigurojnë të gjitha kushtet për zhvillim të procesit mësimor me qëllim që nxënëses së vetme ti krijohet atmosferë e ngrohtë pune.
Ngjashëm është edhe në fshatrat e komunës së Likovës. Nga fillimi i vitit shkollor 2022-23 në shkollën fillore “Rilindja” janë dhënë 12 fletëshpërngulje të nxënësve nga fshati Llojan dhe Vaksincë. 10 flet shpërngulje janë dhënë për shtetet perëndimore ndërsa 2 të tjera për Kumanovë dhe Likovë.
Gjithashtu, sipas Entit të Statistikave në vitin 2020/2021 ka pasur 980 shkolla, vetëm një vit më vonë në funksion ishin 976 shkolla, që do të thotë se katër shkolla janë mbyllur, edhe pse nuk specifikohet nëse janë shkolla qendrore apo rurale.
Hiç më mirë nuk qëndron gjendja edhe me studentë, nëse dikur 500 studentë sot rreth 100, ikja e të rinjve nga vendi ulë numrin e studentëve në fakultetet e disperzuara. Para 15 vitesh, kur u hap fakulteti i drejtësisë i disperzuar në Kërçovë kishte 500 student të regjistruar në vit, e sot numri i studentëve ka rënë në rreth 100. Situata është e njëjtë thuajse në të gjitha qytet ku ka fakultete ose degë të disperzuara fakultetesh.
Ikja e qytetarëve shpie në ikje pa kthim, me pasoja të tmerrshme për vendin–
Ikja e qytetarëve nga vendi është një temë që ka filluar dhe nuk po mbaron dot, fundi nuk i dihet mbase po parashihet se kjo temë do të përflitet deri sa të ikë edhe qytetari i fundit. Flasim për një ikje e largim masiv në kushte paqësore, që mbase është krijuar sikurse shprehi e rutinë që po erdhe në moshën madhore duhet të largohesh nga ky vend. Kjo ikje nuk ka të ndalur do të vazhdojë ende, e këtë nuk po e thonë klientët e “çajtoreve” por rezultatet e hulumtimeve mbi këtë temë. Shifër tmerruese ku 42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme. Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association. Kjo flet për realitetin që shihet në terren, ku kjo pakicë që ka mbet për një kohë të shkurtë do të përgjysmohet në masë shumë të madhe.
Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk

