Nuredini: MMJPH kohë të gjatë punon për mbrojtjen e burimeve të furnizimit me ujë

Shkup, 22 mars – Me përshtatjen e planetit ndaj ndryshimit të klimës dhe rritjes së popullsisë, fakti që ujërat nëntokësore do të luajnë një rol gjithnjë e më të madh në plotësimin e kërkesës në rritje për ushqim dhe ujë të pijshëm është i pashmangshëm. Megjithatë, ky burim bazë natyror përballet me rreziqe serioze – duke përfshirë mbrojtjen e pamjaftueshme dhe ndonjëherë edhe ndotjen e pakthyeshme, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në konferencë për shtyp në BE Haus, me rastin e Ditës Botërore të Ujit dhe aktiviteteve të zhvilluara në këtë drejtim.

Ministria, tha ai, ka punuar për këtë qëllim për një kohë të gjatë, veçanërisht përmes hulumtimeve, ngritjes së kapaciteteve, mbledhjes së të dhënave, krijimit të regjistrit të ujërave nëntokësore dhe mbrojtjes së burimeve të furnizimit me ujë duke krijuar zona mbrojtëse sanitare.

“Me të gjitha këto projekte në fushën e ujërave, ne kemi zhvilluar një bazë të shëndoshë njohurish për vendimmarrje efikase dhe të qëndrueshme në fushën e ujërave nëntokësore. Krijimi i ujësjellësit për çdo vendbanim në vend, si dhe sistemet për pastrimin e ujërave të zeza është prioriteti numër një për ne”, tha ministri Nuredini.

Ai përmendi burimin Rashçe si një fenomen hidrografik, i cili siguron ujë të pijshëm të pastër në metropolin tonë.

“Mbrojtja e tij, si dhe mbrojtja e të gjitha burimeve të tjera të ujit të pijshëm është një domosdoshmëri për të gjithë ne, për institucionet publike, por edhe qytetarët dhe shoqatat qytetare, sepse qëllimi mund të arrihet vetëm me mendime të përbashkëta dhe aktivitete dhe masa të planifikuara”; tha Nuredini.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holshtajn, e cila përmendi se Maqedonia e Veriut është e pasur me ujë, tha se zjarret e vitit të kaluar që shpërthyen në shumë vende të botës tregojnë se ky resurs i çmuar duhet ruajtur dhe menaxhuar shumë mirë.

“Unë vërtet besoj se duhet të fokusohemi më shumë në përdorimin e tij me përgjegjësi, për të ruajtur këtë burim të çmuar, ujërat nëntokësore, liqenet, lumenjtë, oqeanet. Kam lexuar diku se oqeani përmban më shumë plastikë se sa kafshë. Ky trend duhet të ndryshojë, ky është i vetmi planet që kemi,” tha Holshtajn.

Ambasadorja zvicerane Veronika Ullmann theksoi se Zvicra ka mbështetur sektorin e ujit dhe kanalizimeve në Maqedoninë e Veriut për 25 vitet e fundit. Deri më tani, siç tha ai, Zvicra ka investuar gati 120 milionë euro dhe do të vazhdojë të investojë edhe në të ardhmen.

Ajo ndau statistika në nivel global, gjegjësisht se pothuajse 40 për qind e ujit të pijshëm vjen nga ujërat nëntokësore, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është e tillë madje 70 për qind e ujit që pimë.

“Urgjent të rritet ndërgjegjësim, të përforcohen institucionet e ujit, të krijohet një mekanizim efektiv mbrojtës dhe të rishikohet legjislacioni. Për ta arritur këtë, ne duhet të bashkojmë forcat dhe të krijojmë një partneritet të fortë me institucionet shtetërore, në nivel kombëtar dhe lokal, me shoqërinë civile, me sektorin privat, me qytetarët”, tha Ullman.

Dita Botërore për mbrojtjen e ujërave 22 Marsi, këtë vit shënohet me moton “GROUNDWATER – MAKING THE INVIISIBLE VISIBLE” (Ujërat nëntokësore – për ta bërë të padukshmen të dukshme).