Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Turqi shkon në më shumë se 500 – paralajmërohen pasgoditje të forta në orët dhe ditët në vijim

Botë, 6 shkurt – Më shumë se 500 njerëz raportohet se kanë gjetur vdekjen në dy vende – Turqi dhe Siri – pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore herët të hënën.

Të paktën 284 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,300 janë plagosur në Turqi, sipas nënpresidentit të vendit Fuat Oktay, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Në Siri, të paktën 237 njerëz u vranë dhe 639 u plagosën, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve në Turqi dhe Siri tani është të paktën 521.

Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në më shumë se 100 vjet dhe shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë për të dalë në rrugë.

Veç kësaj, më shumë se 1,700 ndërtesa u dëmtuan në 10 qytete turke, tha zëvendëspresidenti turk.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat, të paktën 18 pasgoditje me magnitudë mbi 4 ballë janë regjistruar pas tërmetit të fuqishëm, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).

USGS tha se regjistroi shtatë tërmete me magnitudë mbi 5.

Pasgoditja më e fortë deri më tani u regjistrua vetëm 11 minuta pas tërmetit të parë dhe kishte një magnitudë 6.7, tha USGS.

Ekspertët thonë se pasgoditjet e forta ka të ngjarë të vazhdojnë në orët dhe madje edhe ditët në vijim pas një tërmeti aq të fortë sa ai që përjetoi Turqia të hënën në mëngjes.