Krizë gjithandej, krizë edhe në Universitete, të rinjtë të pa interesuar për studime

Shkup, 27 maj – Në Maqedoninë e Veriut ka qenë trend i zakonshëm që përgjatë viteve të ulet numri i studenteve, duke u ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Por, vitin që lamë pas për dallim prej atij paraprak kanë diplomuar 7.753 studentë të nivelit universitar në shkollat ​​dhe fakultetet e larta profesionale në vend, që shënon një rritje prej 12.2 për qind në krahasim me vitin 2020, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Kjo flet që viti 2020 ndryshe i njohur edhe si viti pandemisë në vendin tonë ka ndikuar që të ketë një ulje drastike të numrit të studenteve që kanë diplomuar, shkruan Zhurnal.

Numri i studentëve është tregues shumë i rëndësishëm për numrin e të rinjve që qëndrojnë në vend. Por, çdoherë ka lëvizje të këtij numri gjë që varet nga faktorë të ndryshëm. Por të dhënat e fundit për vitin e kaluar tregojnë që ka pasur një ngritje të numrit të studentëve që kanë diplomuar, për dallim prej vitit 2020 ku i gjithë vendi e qytetarët ishin të hutuar duke u përballuar me situatën e pandemisë.

Nga numri i përgjithshëm i studentëve të diplomuar, 6.528, afërsisht 84.2 për qind janë studentë të rregullt, ndërsa 1.225 afërsisht 15.8 % janë studentë me korrespondencë. Kjo tregon që pjesa më e madhe e studenteve janë të përkushtuar vetëm në studime, ndërkaq një numër prej tyre janë të punësuar dhe nuk mund të vijojnë studimet në mënyrë të rregullt. Por, që kjo nuk nënkupton se janë të punësuar në institucione shtetërore, pasi një pjesë e madhe mund të jenë të punësuar edhe në bizneset e tyre familjare.

Nga të diplomuarit 58 për qind % janë femra dhe 42 për qind meshkuj, kjo është tregues shumë i rëndësishëm që femrat janë në rrugë të duhur atë të arsimimit, edhe përkundër faktit se sërish problemi i përfaqësimit të femrës në institucione mbetet sërish shumë i ulët. Pra, fakti që femrat në vend nuk janë të përfaqësuara në procese vendimmarrëse është i pamohueshëm, dhe vazhdon beteja deri në përfaqësim të barabartë.

Nga numri i përgjithshëm i studentëve, 28 për qind kanë diplomuar në afat të caktuar, ndërsa 72 për qind kanë diplomuan pas afatit të paraparë. Këto të dhëna flasin edhe për pasojat e mungesës së cilësisë në Universitetet e vendit, sepse edhe krahas asaj që ka mjaftueshëm studentë që diplomojnë, pjesa më e madhe prej tyre nuk i kryejnë studimet në kohë të caktuar e të rregullt. Afatet janë të parapara për studentë që për shkaqe të ndryshme nuk mund të diplomojnë e t’i kryejnë provimet në afatet e rregullta, por nga të dhënat kuptohet që pjesa dërmuese pra 72% nuk kanë diplomuar në afatin e paraparë. Shifër që flet edhe për kuadrot pas diplomimit.

Ndërkaq, numri i studentëve të diplomuar gjatë vitit 2020 është ulur për 12.3% në krahasim me vitin 2019. Pra, në vitet e kaluara trendi i uljes së numrit të studenteve veçse ka qenë normal, sepse çdo vit numri ka shkuar në rënie. Në vitin 2020 kanë diplomuar 6.907 studentë, prej të cilëve 5.056 në Universitetet shtetërore, dhe 1.851 në Universitete private.

Gjatë vitit 2019-të në Maqedoninë e Veriut kanë diplomuar gjithsej 7.874 studentë, numër që pastaj është zvogëluar në vitin 2020.

Në vitin 2017 ngjashëm sikurse atë 2018 ka pasur numër të reduktuar të studentëve që kanë diplomuar. Në vitin 2016 ka pasur rënie 2.5 për qind më pak të diplomuar se në vitin 2015. Konkretisht, në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë vitin e kaluar kanë diplomuar 8 247 studentë, prej të cilëve 4.787 ose 58 për qind femra. Edhe një vit përpara, pra 2015-ën, kishte më pak të diplomuar se 2014-ën.

Numri i studentëve që kanë diplomuar përgjatë viteve tregojnë të dhënat nga Enti i Statistikave në Maqedoninë e Veriut që në dekadën e fundit ka rënie të studenteve që diplomojnë. Por, këtu ka më shumë faktor që sjellë një situatë të tillë. Faktori primar është dëshprimi e ikja kolketive e të rinjve nga vendi, ku edhe ata që ishin të diplomuar nuk shpresuan dot por u larguan në mundësinë e parë për një jetë më të mirë në vendet evropiane. Sepse kishte shumë prej atyre që kishin diplomuar dhe punon shërbyes në kafene, dhe kjo ndikonte që te maturantët studimet shiheshin si humbje kohe dhe shpenzim pa ndonjë përfitim, madje me nënçmim se edhe po u profesionalizove në profile të ndryshme sërish nuk do mundesh të punosh aty ku duhet.

Pastaj, faktor sekondar është planifikimi familjar për dallim prej gjeneratave të vjetra, gjenerata e reja planifikojnë të kenë një, dy apo më së shumti tre fëmijë. Ky faktor vërehet edhe te regjistrimi i nxënësve në shkollat fillore që ka një rënie drastike, dhe nga këtu kuptohet që me automatizëm ulet edhe numri i studenteve potencial.

Faktor terciar, është mungesa e hulumtimit të tregut. Maturantët studiojnë atë që prindërit e tyre kanë profesion apo atë që ata dëshirojnë dhe jo atë për të cilën vendi ka nevojë. Numri më i madh i studentëve që diplomojnë janë juristë, mjek, dhe ekonomistë. Pastaj, kjo flet për një kaos në momentin e punësimit ku institucionet përkatëse janë të stërngarkuara dhe nuk ka se si të sistemohen. Prandaj, është i nevojshëm hulumtimi i tregut për të parë cilat janë nevojat dhe pastaj motivimi i maturantëve të vazhdojnë të studiojnë drejtime deficitare.

Ndërkaq, si shkak i rritjes së numrit të studentëve të diplomuar vitin e kaluar nga ai paraprak shkaktar kryesor është pandemia e vitit 2020 si dhe kalimi i mësimit nga ai konvencional në atë virtual. /Zhurnal.mk