Numri i dozave të vaksinimit për COVID-19 në Kinë zë vendin e 2-të në botë

Më 11 prill, zv.drejtori i Zyrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës Wu Liangyou u shpreh në një konferencë shtypi se Kina renditet në vendin e 2-të në botë për numrin e përgjithshëm të dozave të vaksinimit për COVID-19.

“Tani puna e vaksinimit kundër COVID-19 në Kinë po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Deri më 10 prill, në krahina të ndryshme të Kinës janë bërë 164 milionë e 471 mijë doza vaksinash të COVID-19, duke e bërë Kinën vendin e 2-të në botë për sa i përket numrit të dozave të vaksinave të COVID-19 të injektuara.”

Vaksina e kompanisë kineze “Sinovac” tani ka hyrë në fazën e fundit të vlerësimit të OBSh-së për përdorim urgjent. Zëdhënësi i kompanisë “Sinovac” Liu Peicheng theksoi në një konferencë shtypi:

“Gjatë Festës së Pranverës, OBSh-ja ka përfunduar procesin e kontrollit në vend të prodhimit të vaksinës së ‘Sinovac’-ut. Kohët e fundit, zëdhënësi i OBSh-së u shpreh se vaksina e ‘Sinovac’-ut mund të marrë shumë shpejt autorizimin e përdorimit urgjent prej OBSh-së. Përveç kësaj, grupi i ekspertëve të OBSh-së do të paraqitë dhe publikojë sugjerimet për përdorimin e vaksinave, pas autorizimit nga OBSh-ja. Grupi i ekspertëve shpreson të publikojë sugjerimet e përdorimit përkatës në fund të prillit.”

Gjatë paraqitjes së situatës së fundit epidemike në qytetin Ruili të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore, në kufi me Mianmarin, eksperti theksoi ekzistencën e rreziqeve të përhapjes së virusit të COVID-19 në Kinë nga jashtë vendit.