“Nuk shkuam në luftë, gënjeshtër!”/ Fituesit e ‘Eurovision’ në një intervistë për shqiptarët: Nga shitja e kupës te planet e të ardhmes

Ata shitën trofeun për 900 mijë euro për të mbledhur para për luftën në vendin e tyre. Në një intervistë në ‘Euronews Albania’, këngëtari i grupit, Oleh Psiuk, tha se e kanë shitur trofeun në atë shumë dhe paratë do të shkojnë për nevojat e forcave ushtarake ukrainase. “Po, po ne e kemi shitur kupën tonë të ‘Eurovision’ për 900 mijë dollarë dhe të gjitha paratë janë kaluar për nevojat e forcave ushtarake ukrainase.”

Ndërkohë, në nga lajmet më të përhapura rreth grupit është se pas ‘Eurovision’ ata iu bashkuan ushtrisë duke u nisur për luftë. Diçka që është e pavërtetë. Aktualisht banda është në tur ndërkombëtar në Europë, ku vijojnë të mbledhin fonde për ushtrinë ukrainase. “Këto janë lajme të rrema sepse ne po mbajmë turin tonë ndërkombëtar dhe jemi nëpër Europë. Po mbledhim fonde për ushtrinë.”- tha artisti.

Ndërkohë i pyetur për triumfin, këngëtari u shpreh se njerëzit kanë pëlqyer këngën dhe nuk i votuan prej luftës. Ai u shpreh se kënga e tyre ishte në 5 më të klikuarat që para luftës. “Jemi të lumtur që kemi mundësi për të prezantuar Ukrainën dhe për të ngritur shpirtin e ukrainasve. Na kanë mbështetur shumë njerëzit”, u shpreh ai, ndërsa falënderoi të gjithë votuesit.