Nuk dihet destinacioni i anijes së parë me misër që lundroi nga Ukraina
Ambasada ukrainase në Liban kumtoi se nuk e di se ku është anija e parë me mallra ushqimore që sipas marrëveshjes për zhbllokim të porteve ukrainase lundroi nga Odesa.
Anija “Razoni” e ngarkuar me 26 mijë tonë metrikë misër më 1 gusht nën flamurin e Sierra Leones lundroi nga porti ukrainas me destinacion përfundimtar Libanin. Më pas anija i është nënshtruar kontrollit në Turqi, pas së cilës blerësi e tërhoqi porosinë për shkak të vonesës në dorëzim.
Anija për herë të fundit u pa tre ditë më parë në brigjet lindore të Qipros, kur është shkyçur gjurmuesi për ndjekjen e vendndodhjes së anijes.
Ambasada e Ukrainës në Bejrut kumtoi se pasi blerësi libanez ka refuzuar të pranojë porosinë e vonuar, ngarkesa nga “Razoni” është rishitur disa herë. Për momentin nuk ka informacione ku ndodhet anija as ku ka përfunduar misri i ngarkuar.
Nga fillimi i këtij muaji 16 anije me gjithsej mbi 450 mijë tonë produkte bujqësore në anije. lundruan nga portet e zhbllokuara ukrainase. Vlerësohet se Ukraina ka rreth 20 milionë tonë drithë gati për eksport.

