Nuhiu: Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë infrastrukturë institucionale
Shkup, 5 gusht – Zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu në rrjetin social facebook në profiln e tij, bëri të ditur se është siguruar bazë juridike për regjistrimin e të gjithë personave në librat e gjendjes civile.
“Kemi siguruar bazë juridike që të regjistrohen të gjithë personat që nuk kishin mundësi ligjore të regjistrohen në librat e gjendjes civile. Deri më tani rreth 250 qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi.
Qytetarët kanë disa atribute me të cilat bëhet identifikimi i tyre në marrëdhëniet juridike. Atributet e personit lidhen me vetë faktin e lindjes. Fakti i lindjes dhe subjektiviteti juridik ka rëndësi të madhe për realizimin dhe ushtrimin e disa të drejtave civile.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë infrastrukturë institucionale që të gjithë qytetarët e vendit t’i gëzojnë të drejtat dhe t’u përgjigjen detyrimeve që rrjedhin nga rendi juridik”, ka shkruar në facebook zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu.