Një vit më vonë, BE i kritikon talebanët për keqtrajtim të grave dhe vajzave afgane

Talebanët “seriozisht i shkelën dhe keqpërdorën të drejtat e grave dhe vajzave afgane” në Afganistan, deklaroi sot zëdhënësi i BE-së, në prag të përvjetorit të parë të ardhjes në pushtet të talebanëve.

“Talebanët nuk arritën të vendosin sistem politik inkluziv, me çka i mohojnë aspiratat e popullit afgan”, tha zëdhënësja e BE-së për punë të jashtme, Nabila Masrali, transmeton DPA.

Afganistani nesër shënon një vit prej se talebanët e morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, me çka të drejtat themelore të grave u shtypën, liria e mediumeve është kufizuar dhe pjesë të mëdha të vendit ranë në varfëri.

Asnjë vend nuk e njohu de fakto qeverinë e talebanëve dhe gratë dolën në rrugët e Afganistanit për t’i dënuar kufizimet e të drejtave të tyre në arsim, punë dhe lirinë e lëvizjes.

Dje, protesta e qetë e dhjetëra grave të cilat marshuan nëpër rrugët e Kabulit duke brohoritur “Ushqim, punë dhe liri” sërish u sulmua dhe ndalua nga forcat talebane, si edhe demonstratat e kaluara.

Bashkimi Evropian, gjithashtu, e dënoi trajtimin e hazarëve dhe popullatës shiite në Afganistan dhe “keqtrajtimin sistematik të të drejtave të tyre ekonomike, sociale, kulturore, qytetare dhe politike”.

Duke e konfirmuar përkushtimin e vet ndaj popullit afgan. BE-ja i bëri thirrje talebanëve – “de fakto autoritetet në Afganistan” – t’i heqin politikat që i shkelin obligimet për të drejta të njeriut në vend.

“Afganistani nuk guxon të mbetet vatër e sigurt për terroristët, as kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”, shtohet në kumtesë.

Talebanët e morën pushtetin në Kabul më 15 gusht 2021, pas vendimit të SHBA-së të tërhiqet nga Afganistani, që çoi drejt asaj që NATO ta përfundojë misionin 20-vjetor në vend.