Një projeksion tregon rritje ekstreme të temperaturave në SHBA

Brenda 30 viteve, në SHBA do të krijohet një brez i nxehtësisë ekstreme, i cili do të shtrihet nga Luiziana përmes Perëndimit të mesëm deri në Liqenin Miçigan në pjesët veriore të shtetit, paralajmërojnë ekspertët.

Ajo zonë në të cilën jetojnë më shumë se 100 milionë amerikanë dhe që mbulon një të katërtën e SHBA-së, do të përballet me të paktën një ditë jashtëzakonisht të nxehtë në 2053 kur temperatura të arrijë 51 gradë Celsius, sipas një raporti të përgatitur për Fondacionin Jofitimprurës “Fërst Strit faundejshën” me seli në Njujork.

Aktualisht, zona mbulon një sipërfaqe prej rreth 50 qarqesh, me një popullsi prej tetë milionë banorësh. Në 30 vjet, kjo zonë do të mbulojë më shumë se një mijë qarqe në shtetet Teksas, Luiziana, Arkansas, Misuri, Illinois, Ajova Indiana dhe pjesët jugore të Viskonsin, sipas një projeksioni të bazuar në skenarë të moderuar nga shkencëtarët e klimës në Panelin Ndërqeveritar të KB-së për ndryshime klimatike.

Përveç mundësisë së temperaturave ekstreme, një rritje lokale e temperaturës mesatare parashikohet edhe në pjesë të SHBA-së. Zonat që tani kanë shtatë ditë në vit me temperatura mbi mesataren për 30 vite do të përballen me 18 ditë të tilla në vit.

Rritja më e madhe të ditëve të tilla të rrezikshme, të karakterizuara nga temperatura deri në 38 gradë Celsius, do të jetë në pjesët jugore të SHBA-së. Shumë prej zonave pranë Gjirit të Meksikës regjistrojnë tashmë njëqind ditë të tilla në vit. Parashikimet thonë se në vitin 2053 do të ketë më shumë se 120 ditë të tilla në vit në ato zona.

Pas 30 vitesh, pjesë të mëdha të Teksasit dhe Floridës do të preken nga valë të nxehtit prej 70 ose më shumë ditësh radhazi me temperatura mbi 38 gradë Celsius.