Një prej mbrojtësve të Mariupolit, thotë se në fabrikën e çelikut ka të plagosur dhe të vdekur

Pasi që presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi bllokadën totale të fabrikës së çelikut Azovstal, brenda të cilës gjenden mbrojtësit e fundit të Mariupolit, nën tokë në kompleksin e fabrikës ku kanë mbetur mbi 2 mijë ushtarë dhe civilë ukrainas.

Njëri prej tyre ka folur për BBC-në sa i përket situatës në këtë qytet të Ukrainas. Bëhet fjalë për Svyatoslav Palamar, që po konsiderohet si një nga mbrojtësit e fundit të qytetit ukrainas. Ai është pjesë e batalionit Azov, transmeton Telegrafi.

Ai pranoi se më herët kishin penguar çfarëdo sulmi të forcave ruse, por së fundmi kjo hapësirë është bërë një lloj vatre e sulmeve të vazhdueshme nga ana e ushtarëve të Kremlinit.

Palamar pretendon se fabrika brenda të cilës po fshihen, është e rrethuar dhe e shkatërruar mbi sipërfaqen e tokës, kurse civilët kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja.

“Gjithmonë flasë se derisa ne jemi këtu, Mariupoli mbetet nën kontrollin e Ukrainës”, tha ai.

Kapiteni Palamar pranoi se rusët kanë qëlluar fabrikën nga luftanijet, dhe se kanë hedhur bomba për shkatërrimin e bunkerëve.

“Të gjitha ndërtesat në rrethinën e Azovstalit janë shkatërruar. Po hedhin bomba të mëdha, bomba për shkatërrimin e bunkerëve që shkaktojnë dëme tejet të mëdha. Në bunkerë kemi të plagosur dhe të vdekur. Disa civilë kanë mbetur të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura”, shtoi Palamar.

I pyetur se sa mbrojtës ukrainas kanë mbetur në Mariupol, Palamar është përgjigjur duke thënë shkurt “mjaftueshëm për t’ju kundërpërgjigjur sulmeve ruse”.

Madje theksoi se civilët janë ndarë në dy vende – larg luftëtarëve, por se pranoi se nuk e di saktë sa prej tyre janë pasi janë shpërndarë nëpër bunkerë.

“Jemi në kontakt me civilët që po qëndrojnë në ato zona ku mund të shkojmë. E dimë se atje ka fëmijë – madje edhe tremuajsh”, shtoi ai.

Ushtari ukrainas ka bërë apel që civilëve t’ju lejohet një kalim i sigurt nga fabrika, dhe i ka bërë thirrje shteteve të treta apo bashkësisë ndërkombëtare që garantojë për sigurinë e tyre.