Një perspektivë tjetër ekonomike

Nga: Enuma Okoro / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Gjatë dy javëve të fundit, besoj se më shumë se kurrë më parë kam ndjekur lajmet globale financiare. Pavarësisht nga niveli në të cilën secili prej nesh është dhe do të jetë i prekur drejtpërdrejt nga tarifat e ShBA-së, ka qenë pothuajse e pamundur të injorohen titujt e lajmeve. Kam pasur biseda me miq në Francë, në Gjermani dhe këtu në ShBA, ku të gjithë kemi shprehur shqetësimin për perspektivën ekonomike.
Nuk është kjo një fushë ku kam ndonjë ekspertizë, por isha e vetëdijshme se po mendoja për tregtinë dhe për burimet, dhe se si mund të paramendosh se ka peizazhe të ndryshme ekonomike – përtej atij thjesht financiar që skalit jetën tonë të përditshme. Kjo më ka shtyrë të rishqyrtoj jo vetëm atë që e bën jetën të qëndrueshme, por edhe që mund ta bëjë jetën të mirë.
Mrekullia e bukëve dhe peshqve është një pikturë nga shekulli XVI i piktorit flaman Lambert Lombard, vepër që ndodhet në Muzeun e Shtëpisë Snajders dhe Rokoks [Snijders&Rockox] në Antverp [Holandë]. Tregimi për Jezuin që ushqen një turmë me pesë bukë dhe dy peshq është i vetmi rrëfim, përveç ringjalljes, që shfaqet në të katër ungjijtë e Testamentit të Ri. Në këtë tregim, Jezui shprehu shqetësimin se njerëzit janë të uritur. Dishepujt donin t’i largonin ata për të gjetur ata vetë ushqimin, por Jezui i udhëzoi ata të ushqenin turmën. Dishepujt, sipas ungjillit, u përgjigjën se nuk kanë asgjë ose nuk kanë mjaftueshëm për të gjithë. Piktura e Lombardit tregon se, në vend që t’i dëgjonte këto ankesa, Jezui bekoi atë që kishin dhe u kërkoi dishepujve ta ndanin me njerëzit e tjerë. Në fund doli të kishte më shumë ushqim sesa mjaftueshëm.
Ndoshta duhet të përqendrohemi te koha jo vetëm si një mënyrë për të ruajtur sigurinë financiare, por edhe si një rrugë drejt një jete më të pasur në bukuri.

Piktura e Lombardit është e mbushur me gjallëri dhe detaje që sugjerojnë se kjo është një turmë e larmishme, nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Disa njerëz mbajnë kapele me majë, disa mbajnë çallma, dhe në të djathtë të veprës mund të shohim një figurë me lëkurë më të errët. Njerëzit janë ulur në grupe të shpërndara nëpër telajo, teksa dishepujt u ofrojnë ushqim.
Gjithmonë e kam dashur tregimin e bukëve dhe peshqve, sepse sugjeron se mënyra se si mendojmë për burimet tona lidhet me atë nëse besojmë në një ekonomi të bollëkut, ku mund të zgjerojmë mikpritjen për të gjithë, apo në një ekonomi të mungesës që nxit konkurrencën dhe ku secili duhet të kujdeset për veten. Për mua, dy aspektet më domethënëse të kësaj historie, siç shfaqet në këtë vepër, janë akti i Jezuit që çmon dhe pastaj falënderon për ushqimin – për atë që tashmë kanë – dhe dishepujt që e ndajnë atë me turmën duke besuar se do të jetë i mjaftueshëm. Pyes veten nëse “mrekullia” është ndoshta po aq një zhvendosje në imagjinatë sa edhe një dhuratë hyjnore. Lombardi përfshin disa shporta bosh në pjesën e përparme të pikturës, ndoshta për të treguar se do të ketë ushqim që tepron. Bekimi dhe ndarja e burimeve duket se çojnë në atë që është më që është më se e mjaftueshme. Por, së pari, ata duhej të ndaleshin dhe të çmonin atë që tashmë kishin mes vete.
Herbert Draper ishte piktor anglez neoklasik që krijoi vepra nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX. Piktura e tij e vitit 1897, Potpuri, më kujton se pasuria e jetës përcaktohet pjesërisht nga mënyra se si i shpenzojmë burimet tona të kohës, çfarë konsiderojmë të denjë për kohën tonë, dhe sa të gatshëm jemi të jemi të pranishëm. Është një portret i qetë i një gruaje të re me flokë të kuq, ulur vetëm pranë një tavoline, me shpinë të kthyer nga shikuesi. Në prehër mban një enë argjendi ku hedh petale trëndafili rozë. Mbi tavolinë ndodhen tre grumbuj me trëndafila në ngjyra të pasura të kuqe, roze, të bardhë dhe krem. Vajza po përgatit potpuri – një proces që kërkon shumë kohë dhe mund të zgjasë me javë apo muaj për t’u përgatitur – por, në pikturë nuk ka asnjë ndjenjë nxitimi. Ajo punon e vetme dhe duket e pavëmendshme ndaj nesh dhe botës së jashtme.

Për shumë prej nesh, koha është po aq e vlefshme sa paratë, dhe, si me paranë, mund të vendosim si ta shpenzojmë, edhe nëse në fund kemi pak kontroll mbi sasinë e kohës që kemi në dispozicion. Kur përdorim fjalinë “koha është para”, ajo që po shprehim është se koha është shumë e vlefshme për t’u humbur dhe, rrjedhimisht, shpresojmë të nxjerrim sa më shumë dobi që mundemi nga koha. Por, ndoshta duhet të frymëzohemi ta shpenzojmë kohën në mënyrat që na përmbushin më shumë, gjë që natyrisht mund të kërkojë më shumë durim nga ana jonë, pa frikën e përhershme se po na mbaron koha. Ndoshta duhet të përqendrohemi te koha jo vetëm si një mënyrë për të ruajtur sigurinë financiare – sado e nevojshme që të jetë kjo – por, edhe si një rrugë drejt një jete më të pasur në bukuri.
Piktori dhe grafisti spanjoll Francisco Goya, i ka krijuar veprat që rrëfenin për trazirat sociale dhe politike të Evropës së shekujve XVIII dhe XIX. Si piktor i famshëm i oborrit mbretëror, ai realizoi Autoportretin me Dr. Arietën në vitin 1820, kur ishte rreth 74 vjeç, si një shprehje mirënjohjeje. Eugenio García Arrieta ishte mjeku që shëroi Goyan nga një sëmundje e rëndë. Në pikturë, Goya i zbehtë dhe thuajse i pajetë qëndron ulur në shtrat dhe mbështetet mbi Dr. Arrietan për ndihmë. Dora e tij e majtë kap çarçafin, sikur ndien dhimbje, koka e tij është e përkulur anash dhe sytë i ka mezi të hapur, ndërsa doktori e mban dhe përpiqet t’i japë diçka për të pirë. Mund të dallojmë kontrastin mes shëndetit dhe sëmundjes në fytyrat e vendosura pranë njëra-tjetrës. Batanija e kuqe thekson më tej çehren e shteruar të Goyas. Prapa dy burrave shfaqen fytyrat e paqarta që duken si fantazma. E, megjithatë, mbështetja e lehtë e doktorit duket si shenjë e vendosmërisë së tij për ta shëruar të sëmurin. Pas shërimit të Goyas dhe përfundimit të kësaj pikture, ai ia dhuroi atë mjekut.

Duke vështruar këtë vepër, më vjen ndër mend kujdesi si një burim. Ekonomia e kujdesit është një sektor i njohur që fokusohet në punën – si të paguar, ashtu edhe të papaguar – që zhvillohet në ambiente shtëpiake, institucionale dhe mjekësore. Por, humanizmi dhe kujdesi që shfaqen në veprën e Goyas më kujtojnë se të gjithë ne jemi, në një mënyrë apo tjetër, pjesë e një ekonomie kujdesi, sepse të gjithë kemi aftësinë për të treguar dhembshuri ndaj njerëzve të tjerë, dhe për të mbështetur sistemet më të gjera të kujdesit për ata që kanë nevojë.
Ndoshta, nëse ia lejojmë vetes të paramendojmë një ekonomi të bollëkut, ku tregtojmë me monedha mikpritjeje, durimi dhe kujdesi, edhe nëse përballemi me vështirësitë e një ekonomie të paparashikueshme financiare, do të zbulojmë përvojat që ia shtojnë pasurinë jetës sonë.