Një investim i ri belg po vjen në Maqedoninë e Veriut
Shkup, 23 maj – Një investim i ri belg po vjen në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për kompaninë belge MSIE, e cila në fazën e parë planifikon të investojë mbi pesë milionë euro dhe të hapë rreth 150 vende të punës.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili sot në Bruksel, e paralajmëroi investimin e ri tha se bisedimet me kompaninë kanë përfunduar dje vonë dhe pritet që marrëveshja të nënshkruahet për rreth një muaj.
Kompania i vëzhgon komunat Petrovec dhe Ilinden si opsione të mundshme për ndërtimin e kapacitetit të prodhimit për prodhimin e filmave solarë.
Investimi i ri, siç paralajmëroi Bekteshi, sipas gjitha gjasave do të realizohet përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.
“Ne si Qeveri do të vazhdojmë me vizita të tilla për të prezantuar mundësitë investuese që ofrojmë si shtet. Situata me krizën energjetike tashmë është stabilizuar dhe në periudhën në vijim fokusi kryesor do të jetë tërheqja e më shumë investimeve të huaja, investime që do të ofrojnë më shumë vende pune për qytetarët dhe që do të sjellin teknologji dhe aftësi të reja”, deklaroi Bekteshi.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së ZZHTI, Jovan Despotovski, në dy forumet e biznesit të organizuara në Bruksel dhe Antverpen ka interesim nga kompanitë belge të cilat veçanërisht interesohen për qasjen në fuqinë e punës me kualifikim të lartë, harmonizimin e legjislacionit vendor me atë evropian dhe për stabilitetin politik në rajon.
“Pres që pas takimeve në Belgjikë do të kemi disa kompani me të cilat do t’i vazhdojmë bisedimet në muajt e ardhshëm. Pres që edhe përvoja pozitive e prezantuar e ‘Vanholl’ dhe EBEE do të nxisim interesim për investime të tjera”, tha Despotovski.
Me investimin e djeshëm të kompanisë belge “ABEE” në kuadër të zonave vëllimi i përgjithshëm i investimeve të lidhura është afro 300 milionë euro me pesë mijë vende të punës të parapara.
“Nëse viti i kaluar ishte rekord për nga vëllimi i investimeve dhe arritëm diku rreth 450 milionë euro, mendoj se këtë vit nëse tani jemi në 300 milionë euro besoj se jemi në rrugë të mirë që ta tejkalojmë këtë numër dhe të ecim tutje”, tha Despotovski.
Dje, në qytezën belge Ninov ishte lidhur marrëveshja me kompaninë belge “ABBE” e cila në ZZHTI Kërçovë planifikon të investojë 40 milionë euro dhe të hapë mbi 600 vende të punës.

