Një çetë nga Armata shkon për stërvitje “KFOR 30” në RF të Gjermanisë

Shkup, 4 shkurt – Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, sekretari shtetëror Dragan Nikoliq, drejtori i përgjithshëm i Shtatmadhorisë, gjeneralmajor Zoran Mileski dhe komandanti i brigadës së parë, koloneli Sashko Lafçiski sot në kazermën “Çede Filipovski-Dame” në Kërçovë morën pjesë në ceremoninë për dërgimin e një njësie të Armatës për stërvitje në KFOR 30 në Hohenfels, Gjermani.

Siç informon Ministria e Mbrojtjes, zëvendësministri Hasani i ka uruar pjesëtarët e Brigadës së Parë suksese në stërvitjen e radhës.

“Të jemi këmbëngulës dhe të motivuar dhe të tregojmë se Armata jonë është e përbërë nga profesionistë të vërtetë. Këto përgatitje dhe pjesëmarrja jonë në misionin e NATO-s në Kosovë janë shembull i përkushtimit tonë ndaj rajonit, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të tij. Ky është prioritet i NATO-s, është edhe prioriteti ynë si vend-anëtar”, tha Hasani.

Në këtë stërvitje ndërkombëtare e cila do të zgjasë deri në fund të këtij muaji dhe e cila organizohet nga forcat amerikane në Evropë, Armata jonë do të marrë pjesë me një çetë me 140 pjesëtarë, do të kryhen aktivitete stërvitore së bashku me pjesëtarët e armatave të SHBA-së, Italisë, Rumanisë, Shqipërisë, Moldavisë, Letonisë, Kosovës, Sllovenisë dhe FR Gjermanisë.

“Qëllimi i stërvitjes “KFOR 30″ është përgatitja e njësive që dërgohen në misionin e KFOR-it në Kosovë, në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë dhe në mbështetje të autoriteteve civile në Kosovë. Në këtë stërvitje, pjesëtarët tanë së bashku me anëtarët tjerë nga vendet tjera do të punojnë në unifikimin e trajnimit të personelit në rotacion në misionin e KFOR-it, gjegjësisht do të punojnë në ngritjen e ndërveprimit me forcat partnere, standardizimin e procedurave”, thuhet në komunikatë.