Nissan dhe Toyota mes kompanive që formojnë një konsorcium për të mbrojtur “makinat e lidhura ndërmjet vete” nga sulmet kibernetike

Një konsorcium që përfshin Toyota dhe Nissan është formuar për të mbrojtur “makinat e lidhura ndërmjet vete” nga sulmet kibernetike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, konsorciumi përbëhet nga 90 kompani japoneze dhe gjithashtu përfshin gjigantë teknologjikë si Microsoft Japan, Trend Micro, NTT Communications, Somp Japan Insurance, Denso dhe Panasonic.

Këto kompani do të kontrollojnë softuerin e tyre automobilistik për të metat e sigurisë dhe do të ndajnë informacion, duke përfshirë trendet e sulmeve kibernetike, për të parandaluar rrëmbimin dhe vjedhjen e të dhënave, raporton Nikkei Asia.

Siç thuhet më tej, partneriteti do të nxjerrë të metat e softuerit automobilistik dhe do t’i përditësojë ato një herë në javë.

Kompanitë e përfshira pastaj do të kontrollojnë për të siguruar që softueri që përdorin nuk është në mesin e atyre që zbulohet se kanë “vrima sigurie”.

Përveç kësaj, anëtarët e konsorciumit do të pajisen me shembuj të metodave të hakimit që raportohen në të gjithë botën.

Nikkei Asia raporton se kompanitë që operojnë në sektorin e automobilave zakonisht shpenzojnë 200 milionë deri në 300 milionë jen (1.8 milionë dollarë deri në 2.7 milionë dollarë) në vit për të nënkontraktuar kërkimin e softuerit.

Ky konsorcium do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për kompanitë më të vogla dhe duhet të përmirësojë besueshmërinë e të gjitha makinave japoneze.