Nis ndërtimi i kanalizimit në Vranishtë të Strugës
Shkup, 9 Prill, medial.mk/ – Kanë filluar punimet sot për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Vranishtë të komunës së Strugës, vlera e të cilit investim nga qeveria e vendit arrin në afro 1,5 milion Euro (91 milion Denarë), ka njoftuar sot Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha.
“Sot, bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski, shënuam fillimin e ndërtimit të sistemit të ri të kanalizimit në Vranishtë, një projekt me vlerë mbi 91 milionë denarë, të siguruara kryesisht nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,” njoftoi Hoxha në një komunikatë përmes Facebook.
Ai tha se më ndërtimin e sistemit të kanalizimit në këtë fshat “përfundimisht i japim fund problemit të ujërave të zeza, mbrojmë tokën dhe ujërat nëntokësore dhe sigurojmë kushte më të mira për qytetarët.”
“Ky projekt infrastrukturor është pjesë e një qasjeje sistematike, të investojmë edhe në vendet më të vogla që për vite me radhë kanë qenë të lëna pas dore dhe pa kushte bazë për një jetë dinjitoze. Sepse një transformim i vërtetë i gjelbër mund të ndodhë vetëm nëse askush nuk mbetet pas,” tha ministri Hoxha.
E nga ana e tij kryeministri tha se në Strugë vazhdojné punimet për “rregullimin dhe modernizimin e rrugës turistike, e cila ka veçori të rëndësishme për ekonominë lokale dhe turistike.”
“Me përpjekje të tilla, krijohen kushte më të mira si për qytetarët ashtu edhe për vizitorët e shumtë. Po punohet edhe në rrugën lokale drejt lagjes Ezerski Lozja [Vreshtat e Liqenit], një projekt që përmirëson drejtpërdrejt cilësinë e jetës së banorëve dhe siguron lidhje më të mirë.

