Nikollovski dhe Mariçiq në takim me anëtarët e iniciativës civile “Stop për krim në gjyqësi”

Shkup, 18 gusht – Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore Lupço Nikollovski dhe ministri i Drejtësisë Bojan Mariçi2 sot patën takim me anëtarët e iniciativës civile “Stop për krimin në gjyqësi” të cilët zhvillojnë kontest përmes institucioneve për shkak të demit të pësuar nga, siç thonë, gjykatësi i korruptuar nga Gjykata e Apelit në Shtip. Anëtarët e iniciativës deklaruan se problemet e tilla datojnë prej para dhjetë viteve.

“Në procedurën e cila po zhvillohet i ka paraprirë një ankesë e dorëzuar tek Kabineti im, e cila pasi e morëm, e përcollëm në mënyrë të përshtatshme tek organet përkatëse të hetimit për veprim të mëtejshëm. Të pranishmit në takim e përshëndetën angazhimin tonë në zgjidhjen e problemeve të mëdha dhe e vlerësuan vizitën tonë si një gjë e rrallë që duhet mirëpritur. Unë i sigurova ata se angazhimi im do të maksimizohej derisa të vinte rezultati i vërtetë. Por ne nuk do të ndalemi këtu. Detyra tjetër e madhe që e kemi vendosur në axhendën tonë është pastrimi i Prokurorisë Publike. Duhet t’i japim fund korrupsionit në çdo pore të shoqërisë”, potencoi Nikolovski, transmetojnë nga kabineti i tij.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq në takim theksoi se një iniciativë e tillë nga sektori privat është vetëm dëshmi se angazhimi për një funksionim të sundimit të ligjit dhe institucioneve funksionale gjyqësore është i zakonshëm. Mariçiç vuri në dukje se numri i madh i gjyqtarëve të shkarkuar është dëshmi se ne po i lëvizim gjërat drejt asaj që synojmë: shtet të drejtë në të cilën mbizotëron drejtësia.

“Procese të tilla të pastrimit të sistemit gjyqësor nuk janë aspak të thjeshta dhe të lehta, por është e qartë se ndryshimet po ndodhin. Ndryshimet janë rezultat i zbatimit të Strategjisë për Reformën e sektorit gjyqësor, veçanërisht miratimit të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe ndryshimeve në Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe një sërë ligjesh të tjera. Reformat nuk ndalen këtu, ato fillojnë këtu – përmes zbatimit të tyre në praktikë. Qytetarët duhet të ndiejnë se ka ndryshime dhe se korrupsioni po zvogëlohet me të vërtetë”, tha Mariçiq. fb/