Nikollovskit i pengon bashkimi i shqiptarëve, kërcënon me luftë ndëretnike!

Shkup, 22 shkurt – Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndër vite kanë sakrifikuar shumë për të marrë pak, dhe tani mund të themi se në këtë ekzekutiv kanë pozita mjaftueshme, ajo që duhet të bëjnë vetëm faktorizim dhe ndikim që të funksionojë shteti i së drejtës dhe barazi për të gjithë. Por, kjo situatë është e papëlqyeshme për partitë nacionaliste maqedonase që hapur janë edhe anti-shqiptare, VMRO-DPMNE dhe e Majta. E këtë anit-shqiptarizëm nga VMRO-ja e kanë shprehur hapur shpesh herë, së fundmi edhe në Kuvend ku deputeti i kësaj partie kërcënon edhe me luftë ndëretnike, krejt kjo si pasojë e asaj që për këtë parti shqiptarët janë të padëshirueshëm në ekzekutiv. Ndaj, kësaj deklarate luftënxitëse deri më tani ka reaguar vetëm BDI si parti, dhe nga deputeti i po së njëjtës parti në Kuvend, Berat Ajdari. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për luftë, ata janë në luftë për mbijetesë duke u përballur me krizën ekonomike dhe politike. Por, politikanët maqedonas duhet ta fusin njëherë e përgjithmonë në kokë realitetin që pa shqiptarët nuk ka shtet, shqiptarët janë shtetformues, të arsimuar dhe të aftë për të udhëheq me shtetin, shkruan Zhurnal.

Deklarata për luftënxitëse nga deputeti Nikolloski, shqiptarët duhet edhe më shumë të bashkohen-

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski në Kuvend deklaroi se hyrja e të gjitha partive shqiptare në Qeveri, do të shkatërrojë themelet e funksionimit të shtetit të Maqedonisë, që sipas tij, bazohet nën modelin – dy parti politike në pushtet.

“Në Maqedoni jo rastësisht ekzistojnë parti të maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, turqve, vllahëve, romëve. Shikoni rreth vetes dhe do të shihni kë e keni në koalicion. Kjo është kështu për shkak të balancit etnik me të cilin funksionon ky shtet. Ju nëse dëshironi mund të eksperimentoni, por ato eksperimente do të na çojnë në rrënimin e Maqedonisë siç e njohim sot. Eksperimente të një gjenerate para nesh na sollën në konflikt të armatosur në vitin 2001. Kam frikë se eksperimentet që po i bëni tani, mund të na çojnë në një konflikt tjetër; dhe nëse në 2001 u ngritën shqiptarët, tani mund të ngritën maqedonasit. Mos e nënvlerësoni këtë që po ua them”, tha Nikollovski.

Deputeti në fjalë nuk e ka hallin te eksperimentet që po bëhen, por i pengon bashkimi dhe faktorizimi i shqiptarëve, si dhe situata e re e krijuar ku numrin më të madh të ministrive në Maqedoninë e Veriut udhëheqin shqiptarët. Por, shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për pozita por edhe për persona të përgjegjshëm në këto pozita që ta kryejnë punën si duhet në shërbim të secilit qytetarë pa diskriminim.

Kush reagoi ndaj kësaj deklarate luftënxitëse?

Deputeti i BDI-së dhe ish pjesëtari i UÇK-së, Berat Ajdari, i është përgjigjur deklaratave luftënxitëse të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski. Në një prononcim për gazetën LAJM, Ajdari ka thënë se retorika e tillë e VMRO-së është e dëmshme për vendin dhe qytetarët. Ai ka bërë thirrje që t’i jepet fund këtij fjalori për të shmangur tensionet.

“Nikollovski, si edhe shefi i tij Mickoski vetëm në televizor e kanë parë luftën. Nuk na habisin këto deklarata luftënxitëse të Vmro-Dpmne-së. Ata edhe në të kaluarën kanë dëshmuar se janë armiku më i madh i Maqedonisë. Ju kujtohet çfare bënë më 27 prill të vitit 2017 për ta ruajtur pushtetin. Edhe këto deklarata që krijojnë tensione kanë për qëllim të rrisin rejtingun e partisë. Kjo retorike e Nikollovskit është vazhdimësi e shpifjeve që i bën çdo ditë Vmro-ja kundër BDI-së dhe çdo funksionari të suksesshëm shqiptar”, ka thënë Ajdari.

Mes tjerash, edhe nga BDI kanë dalë me një prononcim sipas të cilëve heshtja e Mickovskit ndaj luftënxitjes së Nikollovskit, aprovim i orientimit antishqiptar të VMRO-DPMNE-së.

Nga partitë tjera shqiptare ende nuk ka pasur asnjë reagim mbi këtë deklaratë kryekëput anti-shqiptare, dhe luftënxitëse. Megjithatë, kjo flet edhe për situatën në të cilën ndodhën maqedonasit që deri dje rrahnin gjoks se është vendi i tyre dhe se shqiptarët duhet të largohen prej këtij vendi, tani po ndjehen të pa përfillur dhe të rrezikuar nga shqiptarët. Shqiptarët e dinë më së mirë çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar, prandaj me profesionalizëm, ndërgjegjshmëri po udhëheqin institucionet kryesore të shtetit duke përfaqësuar secilin qytetarë pa dallim.

Shqiptarët vetëm të bashkuar mund të jenë të faktorizuar, pushtet më shumë se asnjëherë më parë-

Përbërja aktuale e Qeverisë përmban një numrin më të madh të shqiptarëve që ka pasur ndonjëherë më parë, pra është moment historik për shqiptarët për ta shfrytëzuar dhe për të çuar përpara çështjet që janë të rëndësisë së veçantë për shqiptarët.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi: zëvendëskryetar i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi; Ministër i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi; Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani; Ministër i Drejtësisë, Krenar Lloga; Ministër i Financave, Fatmir Besimi; Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri; Ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti; Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu; si dhe shumë zëvendës ministra në Ministri të ndryshme.

Pra, nga 16 ministri, 8 udhëhiqen nga shqiptarët, si dhe dy zëvendës kryeministra. Kjo nënkupton se shqiptarët në këtë ekzekutiv kanë zënë vende të mira dhe kanë pushtet të mjaftueshëm për t’i ndryshuar gjërat në drejtim pozitiv.

Në Kuvend gjendja e shqiptarëve nuk është më keq se në Qeveri, atje bashkërisht janë 33 deputetë shqiptarë, që realisht e kanë çelësin e krijimit ë cilës do qeveri. Si në ekzekutiv ngjashëm edhe në legjislativ shqiptarët në këtë kohë të përfaqësuar si asnjëherë më parë, por edhe përkundër këtij fakti sërish gjendja e shqiptarëve nuk është se ka pasur ndryshime drastike.

Prandaj, edhe deklaratat anti-shqiptare nuk vijnë rastësisht por burojnë nga ky realitet faktik që është i padëshirueshëm për këto parti dhe vjellin vrerë ndaj shqiptarëve. Por, shqiptarët duhet të vazhdojnë për ta dëshmuar profesionalizmin dhe dinjitetin në udhëheqje, vetëm të bashkuar për afirmim të të drejtave për të gjithë pa dallim. /Zhurnal.mk