Ngadalësohet zhvillimi i drithërave, bujqit t’i mbrojnë kulturat nga era e fuqishme

Vala e lagështisë e cila e kaploi vendin është parakusht për zhvillim të sëmundjeve, dëmtuesve dhe barërave të këqija në bujqësi, ndërsa era e fuqishme e cila pritet të kalojë diku edhe 60 kilometra në orë, mund të shkaktojë dëme serioze, paralajmërojnë agrometeorologët.

Sipas tyre, për shkak të reshjeve të pakta dhe temperaturave të larta mbi mesataren, kulturat e drithërave kanë stagnuar në zhvillim, ndërsa kjo do të ndikojë edhe ndaj rendimenteve . Megjithatë, reshjet e sotme dhe ato që priten gjatë fundjavës mund ta përmirësojnë situatën me lagështinë në tokë.

Temperatura e tokës në thellësi prej pesë centimetrave, në periudhën e ardhshme pritet të lëvizë prej 19 deri 28 gradë celsius.

“Bujqit të marrin masa adekuate për mbrojtje të kulturave nga era e fuqishme e cila në ditët e ardhshme në disa rajone do të tejkalojë 60 kilometra në orë. Kushtet e motit në periudhën e ardhshme do të ndikojnë edhe në zhvillimin e sëmundjeve, dëmtuesve dhe barërave të këqija. Për këtë rekomandohet, kur kushtet e motit këtë ta lejojnë, të shfrytëzohet për mbrojtje të kulturave bujqësore”, thonë agrometeorologët.

Moti i nxehtë javën e kaluar me temperatura mbi mesataren në disa vende, ishte mundësi e shkëlqyer për kryerjen e punëve bujqësore në vend të hapur.