Nga sot nxënësit në bankat shkollore, bashkë me to mbi banka librat me përplot gabime përmbajtjesore
Shkup, 23 janar –Nga sot nxënësit në gjithë vendin i kthehen bankave shkollore, por bashkë me nxënësit mbi banka do të jenë edhe librat të cilat në brendësi kanë një mal gabimesh, drejtshkrimore, teknike, e përmbajtësore. Këto të fundit më vështirë të tolerueshme, sepse nëse flasim për tekste shkollore normalisht që nënkuptohet se duhet të jenë tekste mësimore nga ku mësojnë nxënësit, por kur sheh situatën reale kupton që nuk kemi të bëjmë aspak me tekste mësimore, sepse nga ato tekste nuk merret mësim. Në fakt ajo që lexohet e mësohet është deformim dhe informim i pasaktë. Kjo situatë duhet të jetë shqetësuese dhe alarmante për institucionet përgjegjëse, e jo pastaj të nxjerrin “lot krokodili” që cilësia në shkolla e Universitet qenka në nivel të ulët. Gjithçka fillon nga arsimi fillor, nëse këtu ka hapësirë për deformim të mësimit e njëjta do të vazhdojë edhe në shkallët tjera, vetëm se ndryshojnë mësimet ndërkaq mënyra e gabuar mbetet po e njëjta. Prandaj, çdo gjysmë vjetor që fillon e përfundon është një shpresë që tekstet shkollore do të ribotohen pa gabime, e ato që mungojnë do të botohen në kohë reale që të shfrytëzohen dhe të bëhen pa gabime, shkruan Zhurnal.
Tekstet shkollore nuk janë çdoherë tekste mësimore-
Gjysmë-vjetori i dytë në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut do të nisë të hënën me problemet e vjetra, disa prej të cilave trashëgohen nga viti në vit. Gabimet në disa tekste shkollore që u evidentuan në fillim të vitit shkollor në shtator, ende nuk janë evituar sikurse që mungojnë edhe shumë tekste tjera për nxënësit e ciklit të ulët të arsimit fillor, dhe për pasojë nxënësit detyrohen të mësojnë nga skripta apo materiale të tjera të fotokopjuara.
Që kjo përpos që është e ndaluar ligjërisht, është e kushtueshme edhe materialisht për buxhetet familjare të nxënësve, pastaj ka një ndikim të qartë e të dëmshëm edhe në aspektin e të mësuarit cilësorë. Në tekstet e reja të klasës së 5-të në lëndët Histori dhe Shoqëri, janë evidentuar dhjetëra gabime që kryesisht kanë të bëjnë me periudhat historike.
“Sa i përket tekstit të Historisë, gabimet kanë të bëjnë me periudhat historike. Mesjeta është zhvendosur për dhjetë shekuj mbrapa. Ndërkohë ‘Stobi’, një lokalitet që ekzistonte gjithashtu në epokën antike, thuhet se i takon shekullit II deri në shekullin e III para Krishtit. Këtu kemi një gabim gati njëmijë vjeçar, pasi është një qytet i lashtë i Paionisë, që më vonë u bë kryeqytet i provincës romake të Maqedonisë. Gabimet në tekste janë të shumta, si gjeografike, ashtu edhe periodike”, thotë profesori i Historisë, Vasko Giçevski.
Kjo fletë qartazi për një mungesë përgjegjësie në funksion të zhvillimit të arsimit, kur librat shkollor janë të përmbushura me gabime në përmbajtje e mos të flasim për ato teknike e drejtshkrimore, çfarë të kërkohet pastaj prej nxënësve.
Maqedonia e Veriut, sipas përmbajtjes së tekstit të Shoqërisë, kufizohet me Shqipërinë në lindje dhe me Bullgarinë në perëndim, gjë që është kundërta. Pastaj, kjo ndikon në një të mësuar të deformuar që në vend të informacioneve nxënësit marrin informata të pasakta dhe të gabuara. Në të njëjtin tekst shkollor, nxënësit mësojnë se maja më e lartë në botë, mali Everest në Himalaje, është 29.305 metra i lartë, kurse mali Everest është 29.305 ft (këmbë) i lartë, që nëse shndërrohen në metra, i bie që maja më e lartë të jetë 8.849 metra.
Pra, flasim për një tekst që është pothuajse tërësisht me informacione të gabuara që aspak nuk janë menduar e hulumtuar nga përpiluesit e teksteve, dhe të krijon përshtypjen sikurse nuk kanë kaluar asnjë filtër kontrolli, vetëm janë fut gjëra shabllon dhe ashtu janë botuar.
Tekstet shkollore me gabime skandaloze –
Tekstet shkollore jo çdoherë janë mësimore, sepse po mësuan nxënësit nga ato tekste që janë futur në programet shkollore më shumë do të infektohen me informacione të pasakta se sa të mësojnë ndonjë gjë. Reagime të shumta ka pasur në opinion për shumë gabime që janë bërë në përpilim të teksteve, por në veçanti e fundit që pati jehonë të jashtëzakonshme ishte teksti i librit Gjuha Shqipe për klasën e pestë ku mësohet për shkurtesat e institucioneve ndërkombëtare, e ku ka zënë vend edhe ajo e një parti politike, BDI (për Bashkimin Demokratik për Integrim), është konsideruar si imponim për nxënësit të mësojnë për emrin e kësaj partie që është pjesë e pushtetit.
Kjo është e paprecedent dhe e pa tolerueshme, madje është shenjë treguese se sa ka ndikim politika në arsim, si dhe sa institucionet janë të partizuara, prandaj edhe vështirë të ngritet cilësia në arsim. Për gabimin në fjalë thuhet që përgjegjësi kryesor është militant i po të njëjtës parti, prandaj edhe dihet nga i ka buruar ideja, që pas SHBA-së ta vendosë BDI-në, si shkurtesë që nxënësit duhet ta mësojnë.
Autorët e tekstit të Historisë, Anita Angelovska dhe Glikeria Ilioska, lidhur me gabimet janë përgjigjur me shkrim, duke pranuar se ka lëshime porse ato janë “teknike”. “Na vjen shumë keq që në përpjekjet tona për të mos bërë ndonjë gabim thelbësor, na janë përvjedhur gabime të tilla teknike, të cilat kanë trazuar opinionin”, thuhet në reagimin e autorëve të tekstit, pa dhënë sqarime tjera.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) pranon gabimet në tekstet shkollore, të cilat thotë se “nuk duhej të ndodhnin”, andaj edhe kërkon nga institucionet përkatëse sqarime lidhur me lëshimet e bëra.
“Ministria e Arsimit tashmë ka kërkuar informacion për punën e të gjitha palëve të interesuara në procedurën e miratimit të tekstit konkret dhe pas marrjes së raportit, do të propozojë masa për veprime të mëtejshme. U bëjmë thirrje të gjithë autorëve dhe recensentëve që në të ardhmen të marrin pjesë në procedurat e hartimit dhe botimit të teksteve”, thuhet në sqarimin e MASH-it.
Gjithashtu, nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe anëtarëve të Komisionit Kombëtar të Teksteve, është kërkuar që të “ngrenë përgjegjësinë e tyre personale dhe përkushtimin, sepse në këto procese mjaft komplekse, kjo është e vetmja gjë që pritet prej tyre”.
Kujtojmë që, gabimet në tekstet shkollore kanë nisur të shfaqen që në vitin 2017 kur në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë të shkollës fillore, nxënësit mësonin se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në një ilustrim të atlasit të Gjeografisë, poshtë flamurit të Kosovës, qëndronte emri i Greqisë.
Në tekstin e Historisë për arsimin fillor, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut paraqiteshin si “dhunues që ishin vendosur këtu në shekullin e XVIII, pasi kanë dëbuar maqedonasit nga tokat e tyre”, sipas autorëve të tekstit. Këto përmbajtje janë evituar pas reagimeve të shumta në opinion përmes një ligji për botimin e teksteve të reja. Por, që nuk do të harrohen asnjëherë si forma përmes të cilave është tentuar të bëhet përulja e shqiptarëve në mënyrat më barbare të mundshme, e për ironi për vite me radhë me Ministrin e Arsimit kanë udhëhequr ministra shqiptarë. /Zhurnal.mk

