Nga mbinë talibanët?

NGA MENTOR TAHIRI

Ata që me datën 15 Gusht 2021, provuan përmes platformës Wikipedia të shohin informacione të përmbledhura të rifreskuara për Afganistanin, padyshim se u befasuan me faktin se sa shpejtë mund të zhbëhet një shtet. Duke mos iu referuar më Republikës Islamike të Afganistanit shtetit që ekzistoi në këto dy dekada, por thjeshte vetëm Afganistanit si komb dhe si vend, platforma enciklopedike mbajti qëndrimin neutral karshi realitetit në terren dhe thjeshtë po i përshtatej ngjarjeve.

Vendi me mbi 30 milion banorë dhe një territor sa i gjithë Ballkani së bashku, shpërfaqi tmerrshëm se sa të brishta mund të jenë përpjekjet për ndërtimin e një shteti aty ku jo të gjithë akterët e dëshirojnë këtë. Aq më tepër në rastin e Afganistanit, duket se çdo gjë është kthyer mbrapsht në kohë. Sidoqoftë, për dallim nga viti 1996 kur “lëvizja e studentëve” mori për herë të parë kontrollin mbi vendin, tani në vitin 2021 kur të njëjtit rikthyen pushtetin sërish, ata tani u shoqëruan nga teknologji e shumtë dhe media. Pamjet spektakolare që vinin kaq lehtë tek shikuesi, nuk lënin më hapësirë për asnjë dyshim në dilemën nëse rikthimi i Talibanëve është një shaka e pakripur apo jo.ADVERTISING

Shaka e pakripur në fakt, mund të duket mënyra se si bota hoqi dorë nga ëndrra e miliona afganëve të cilët kanë besuar se liria e tyre ishte vulosur përfundimisht kur 20 vite më parë, Talibanët ishin zmbrapsur nga pushteti. Evakuimet e fundit me helikopterë nga ndërtesa e Ambasadës, rikujtuan evakuimin kaotik nga Sajgoni i vitit 1975. Sigurisht edhe atëherë sikurse edhe tani, argumentimet për tërheqje qartazi kishin mbipeshuar argumentimet për vazhdimin e angazhimit ushtarak. Kritikat e njerëzve liridashës kudo nëpër glob, nuk do të rreshtin për vite me radhë. Pa numër njerëz u lanë në mëshirën e asaj që mund të sjellë e ardhmja nën pushtetin Taliban.

Por a ka mundësi që një komb të ndihmohet pafundësisht në krijimin e tij ? Kjo mund të jetë dilema kryesore e ideatorëve të tërheqjes nga Afganistani. Që nga çlirimi i Afganistanit, koalicioni i prirë nga SHBA-të ka humbur mbi 3.500 ushtarë. Në një momentum rekord, prania ndërkombëtare po arrinte numrin e 130 mijë ushtarëve të cilët po ndihmonin vendin në ndërtimin e shtetit. Në total gjatë 20 viteve, 775 mijë trupa janë dërguar në Afganistan vetëm nga SHBA-të. Gati 40 shtete dërguan ushtarë të tyre, mes tyre edhe Shqipëria. Dikush në administratën amerikane në një moment mund të ketë menduar se afganët duhet të jenë vetë ata që do të marrin përgjegjësinë për shtet-ndërtim dhe se kjo barrë më nuk mund t’i takojë të tjerëve. 

Gjatë dy dekadave, SHBA-të shpenzuan mbi 88 bilion dollarë për të ndërtuar një Armatë Kombëtare Afgane. Në planin politik të rrënuar nga botëkuptime të shumta soc-kulturore, vetë shoqëria afgane duket se në cilindo moment, ishte skajshëm larg krijimit të një uniteti që një ditë të vazhdojë rrugën e shtet-ndërtimit pa ndihmën amerikane. Terreni i ashpër malor me tradita anakronike, hierarkia e subordinuar ndaj mullahëve fisnorë, urrejtja për uniformën e huaj, si dhe të gjitha këto së bashku të m’ veshura me petkun e religjionit të keqinterpretuar, në mënyrë konstante rrënuan dëshirën e pjesës së përparuar të shoqërisë. Ndjenja e përgjegjësisë për shtet-ndërtimin sikur asnjëherë nuk arriti pjekurinë e mjaftueshme.

Në anën tjetër, në përpjekjet titanike për të krijuar sigurinë për institucionet e ndërtuara, shumëçka mund të ketë humbur prioritetin. Afganistani qysh moti kishte trashëguar një shkallë të lartë analfabetizmit dhe pavarësisht përpjekjeve të dy dekadave të fundit, kur shkollat u hapën edhe për gjininë femërore, serish çdo i treti afgan është pa dije në shkrim dhe lexim. Shumë njerëz që kanë qenë në Afganistan viteve të fundit, tregojnë rastet kur autoritetet e sigurisë thjeshtë shikonin foton e pasaportës por nuk mund të lexonin identitetin dhe të dhënat tjera. 

Nga mbinë Talibanët ? Pyetja nuk ka të bëjë me origjinën e formimit të tyre nga Mulla Muhamed Omar, apo me vitin 1996 kur për herë të parë erdhën në pushtet, e as me spekulimin se formimi i tyre është vepër e Shërbimit Sekret të Pakistanit, por ka të bëjë me numrin e tyre kaq të madh me të cilin erdhën sërish në pushtet në vitin 2021. Përveç traditave kundërthënëse, korrupsionit tē lartë dhe joseriozitetit të institucioneve, mendoj që një pjesë e përgjigjes na shpie pikërisht tek shkalla e lartë e analfabetizmit. Një forcë e tillë njerëzish të armatosur e cila nuk mund të dyshojnë e as gjykojë ndonjë argument, me gjithë armatimin e dobët, duket se adrenalinë ka ideologjinë dhe interpretimin religjioz të cilin kjo ideologji e ka strumbullarë.

Por a mund të konsiderohen budallenj prijësit e tyre? Jo. Ata në mënyrë shumë të mençur duruan 20 vite dhe priten derisa të tjerët të humbasin interesin. Ata mësuan nga eksperienca e luftërave të mëparshme dhe filluan mësymjen vetëm kur numri i ushtarëve amerikan dhe të huaj u zvogëlua gati krejtësisht. Përball tyre, Armata Kombëtare e përberë nga gati 200 mijë ushtarë u shpërbë si me domino efekt, shpeshherë duke dorëzuar qytetet pa luftë, e së fundmi edhe Kabullin.