Nga 24 shkurti fillon pagesa e pensioneve

Shkup, 22 shkurt – Qeveria në seancën e sotme e ka miratuar informacionin sipas të cilit pensionet e shkurtit paraprakisht do të përgatiten për pagesë në para të gatshme në katër grupe duke filluar nga 24 shkurt 2022 deri më 1 mars 2022, ndërsa mjetet për pensionet përmes bankomatëve dhe rrjetit tregtar do të jenë të disponueshme nga 24 shkurt 2022.

Sipas shërbimit për shtyp të qeverisë, pagesa me para të gatshme të pensioneve do të bëhet në katër grupe (në katër ditë) në të gjitha filialet dhe ekspoziturat e hapura të bankave.

“Për pensione deri në 11.000 denarë, pagesa duhet të bëhet më 24 shkurt (e enjte), për pensione prej 11.001-14.000 denarë më 25 shkurt (e premte), për pensione në shumë prej 14.001-18.000. denarë më 28 shkurt (e hënë) dhe për pensionet mbi 18.001 denarë, pagesa do të bëhet më 1 mars (e martë), sqarohet në kumtesën e Qeverisë.