Neziri: Propozimi i Alternativës nuk korrespodon me realitetin në Maqedoni
Shkup, 27 shkurt – Analisti politik Xhelal Neziri konsideron se është e gabueshme të bëhet paralele mes të drejtave dhe përqindjes së serbëve në Kosovë me ato shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Për propozimin e Alternativës në Maqedoni të krijohen bashkësi të komunave shqiptare, Neziri thotë se është habitur nga tendenca të kopjohen zgjidhje të këqija nga fqinjët e që të njejtat të shiten si të mira për vendin, informon Zhurnal.
“Të drejtat e serbëve në Kosovë janë rezultat i mes dy shteteve të cilat nuk njihen mes vete, derisa të drejtat e shqiptarëve janë epilog i një marrëveshje të brendshme politike me veçori të cilat nuk krahasohen me vende tjera. Personalisht më habitë tendenca të kopjohen zgjidhje të këqija nga fqinjët e që të njejtët të shiten si të mira për vendin. Më mirë do të ishte Alternativa të ofrojë marrëveshjen e Ohrit si zgjidhje për gjendjet e brendshme në Kosovë, por edhe në këtë rast kjo zgjidhje nuk është e zbatueshme atje përshkak kontestit Beograd – Prishtinë”, thotë për “Sloboden Peçat”, Xhelal Neziri.
Ai shton se për dallim nga Maqedonia, komunat me shumicë serbe në veri të Kosovë kanë kompaktësi gjeografike, pothuajse janë monoetnike dhe kanë tendenca separastike të nxitura nga Beogradi.
“Ky realitet nuk është prezent te ne, ku nga gjithsej 80 komuna, me shumicë shqiptare janë 15 prej tyre e në 19 janë mbi 20%. Edhe në fund, një bashkësi e tillë do ta prishte marrëveshjen kornizë të Ohrit, ku qartë thuhet se nuk do të ketë vendime tjera territoriale për çështje etnike. Me një fjalë, kjo ide është jashtë kohës dhe hapësirës në moment kur vendi është anëtare e NATO-s e sfidë kryesore është integrimi në BE”, është decid Neziri./Zhurnal.mk

