Neziri: Përfshirja e Bullgarëve në Kushtetutë mund të preke edhe Marrëveshjen e Ohrit
Shkup, 17 maj – Analisti Xhelal Neziri thotë se futja e bullgarëve etnikë në Kushtetutë nuk do të jetë e lehtë, sepse renditja e pjesëve të popujve tjerë në Preambulë do të sillte ndryshime edhe në pjesën normative. Ai thotë se ky ndryshim mund të ndikojë në pjesën që rregullon Komitetin për Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve, ku me rritjen e numrit të anëtarëve të Komisionit do të zvogëlohej edhe vlera e votave të anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë.
“Tani në Komitet janë 19 anëtarë, nga të cilët shtatë anëtarë janë maqedonas dhe poaq shqiptarë nga radhët e deputetëve, si dhe nga një nga turqit, vllehët, romët, serbët dhe boshnjakët. Nëse ndonjë nga komunitetet nuk ka deputetë, atëherë përfaqësuesi i tyre propozohet nga Avokati i Popullit. Përfshirja e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në preambulë do të thotë se edhe ata duhet të kenë përfaqësuesit e tyre, dhe kjo do të thotë zërin e tyre për të vendosur për çështje që janë në kompetencë të Komitetit. Kjo do të devalvonte vlerën e votave të anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë, që në njëfarë mënyre është edhe shkelje e Marrëveshjes Kornizë. E gjithë kjo do të thotë se institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje me të cilën bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë, pa e prishur ekuilibrin e vendosur. Kjo duhet bërë me kujdes, sepse zgjidhja e kontestit ndërshtetëror rrezikon të komplikojë situatën brenda vendit”, thotë Neziri për gazetën në gjuhën maqedonase “Sloboden Pechat”.
Sipas analistit Petar Arsovski, autoritetet si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari i interpretojnë detyrimet e Shkupit nga protokolli dypalësh sipas nevojave të tyre ditore politike.
“Qeveria maqedonase për ndryshimin e Kushtetutës thotë se nuk është asgjë e veçantë, ndërsa në Bullgari thonë se ndryshimet janë në atë drejtim që bullgarët janë themeluesit e shtetit maqedonas. Asnjëra nga të dyja nuk është e vërtetë. Ne në Protokollin dypalësh me Sofjen dhe në kuadrin e negociatave me Brukselin, kemi një detyrim të përcaktuar saktësisht që duhet ta ndryshojmë në Kushtetutë, nëse e shikojmë preambulën në mënyrën se si flet Radev, atëherë në të asnjë popull nuk përmendet se ka krijoi një shtet, por thuhet se Maqedonia është shtet i popullit maqedonas, si dhe i pjesëve të popullit shqiptar, popullit turk etj. Kudo që përmenden pjesë të tjera të popujve duhet të futen bullgarët dhe të tjerët. Sipas Kushtetutës, të gjithë qytetarët me shtetësi maqedonase që jetojnë në Maqedoni janë shtet-krijues, kështu që këto deklaratat e Radevit i shoh vetëm si shfaqje para publikut të tyre”, thotë Arsovski.
Lidhur me tezat se rritja e numrit të anëtarëve të Komisionit për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve do të prishë balancën, përkatësisht do të ulet vlera e votave të maqedonasve dhe shqiptarëve, ai thotë se ashtu edhe duhet.
“Kjo është në rregull. Pikërisht ky është qëllimi i atij komisioni që të mos ndodhë majorizimi, gjegjësisht bashkësitë më të mëdha të kenë monopolin në vendimmarrje”, tha Arsovski për “Sloboden Pechat”.

