Nesër do të vendoset si dhe kur do të realizohet skriningu nëpër shkolla

Shkup, 31 janar – Në mbledhjen e nesërme të Komisionit për sëmundje infektive do të vendoset si dhe kur do të zbatohet skriningu nëpër shkolla të cilën e paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Ai sot ka deklaruar se skriningu do të realizohet përmes Qendrave për shëndet publik të cilat e bëjnë evidencën e të gjitha rasteve pozitive.

“Një nga pikat e mbledhjes së nesërme të Komisionit për sëmundje infektive do të jetë edhe kjo. Nesër do të vendoset si dhe kur do të fillojë skriningu. Java e parë është shumë me rëndësi që të reagohet shpejtë nëse ka nevojë për marrjen e masave shtesë”, ka thënë ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës që bëri në Klinikën e fëmijëve.

Nesër fillon gjysmë vjetori i dytë me prani fizike. Fillimi i gjysmë vjetorit të dytë u vazhdua për dy javë për shkak të gjendjes epidemiologjike në vend.