Nëse kompanitë i ulin çmimet e prodhimeve më shumë se përqindja e parashikuar, do të bisedohet për të marrë përkrahje shtetërore

Shkup, 10 mars – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot kumtoi se nëse kompanitë nga industria e ushqimit vendosin t’i ulin çmimet më shumë se përqindja e paraparë me vendimin për ngrirje, do të shqyrtohet opsioni që të marrin përkrahje nga shteti.

“Kemi marrë vendim që ulja të jetë minimum 10 për qind, por nëse kompanitë vendosin dhe i ulin çmimet për 20 për qind, për shembull, do të bisedojmë që për ato 10 për qind shtesë t’u japim përkrahje. Nëse ka sektor të caktuar, në vend se për 10 për qind, i ul çmimet në 15-20 për qind, atëherë do të bisedojmë për t’i takuar. Qëllimi ynë është që qytetarët të paguajnë çmime më të ulëta”, tha Bekteshi.

Ai informoi se për këtë ka biseduar dje me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

“Dje me kryeministrin biseduam që në mënyrë shtesë t’i përkrahim në sektore të caktuara në industri. Kemi hapësirë aq të madhe përmes EMV-së, pasi është rritur prodhimtaria, që për ato kompani të cilat do t’i ulin çmimet, shteti do t’i ndihmojë me përkrahje, e për ato që nuk do të bëjnë atë, do të hiqen të gjitha përkrahjet”, nënvizoi ministri.