Nëntë transportuesve të paligjshëm u meret leja e komunikacionit

Shkup, 24 mars – Inspektorët për komunikacion rrugor të Qytetit të Shkupit në kuadër të detyrave të rregullta të punës gjatë ditëve të kaluara kontrolluan mbi 40 transportues, me ç’rast u konstatuan parregullsi dhe ua morën lejet e komunikacionit nëntë transportuesve të paligjshëm, informoi sot shërbimi për shtyp i Qytetit të Shkupit.

Nga atje paralajmëruan se vazhdojnë me mbikëqyrjet e përforcuara inspektuese në mënyrë që të mundësohet respektimi i rregullave, ndërkaq Inspektorati vazhdon me kontrolle të përforcuara, me qëllim të, siç thonë, asgjësimit të transportuesve të paligjshëm në territorin e Qytetit.

“Në mënyrë joselektuese gjatë kryerjes së kontrolleve janë sanksionuar të gjithë ata që nuk e respektojnë Ligjin për rrugë publike dhe e sjellin në pikëpyetje sigurinë e udhëtarëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion”, thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.