Nëntë alpinistë e humbën jetën, tre janë shpëtuar nga vullkani i akullt në Kamçatka

Tre anëtarë të mbijetuar të grupit të alpinistëve, të robëruar në vullkanin më të lartë të akullt aktiv në Rusi, në pjesën e Euroazisë, janë shpëtuar sot, pasi që nëntë alpinistë nga grupi e humbën jetën gjatë ngjitjes, kumtoi Ministria rajonale për situata urgjente.

Grupi prej 12 personave, mes të cilëve edhe dy ciceronë, para një jave filloi të ngjitet në Kljuçevska Sopka, maje e lartë 4.754 metra në gadishullin e Kamçatkës, në lindjen e largët të Rusisë.

Pasi që e vendosën kampin në 3.300 metra, tetë anëtarë dhe njëri ciceron e filloi ngjitjen e tij të shtunën, kumtuan mediumet lokale.

Nga ata nëntë alpinistë, të shtunën së paku pesë e humbën jetën pasi që u rrëzuan nga lartësia prej 4.150 metrave, ndërsa të tjerët vdiqën kur temperatura në mal zbriti në minus 14 gradë Celsius gjatë natës.

Tentimet e djeshme të helikopterit për të ateruar në vullkan ishin të pasuksesshme për shkak të erërave të fuqishme dhe vranësirave të dendura.

Tre anëtarët e tjerë të grupit – dy turistë dhe një ciceron – u shpëtuan sot pasi që u strehuan në kabinën të cilën e shfrytëzojnë vullkanologët.

Kljuçevska Sopka është vullkani më i lartë nga 160 të mbuluar me akull në gadishullin e Kamçatkës, i regjistruar në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s për shkak të bukurisë së tij të jashtëzakonshme natyrore.