Nënkryetari i ASH-së paralajmëroi rritjen e inflacionit, Banka Popullore e konfirmoi

Shkup, 11 gusht – Nënkryetari i ASH-së paralajmëroi rritjen e inflacionit, Banka Popullore e konfirmoi
Fryrja e buxhetit, duke mos i dhënë përparësi konsolidimit fiskal, do të shkaktojë presion në inflacionin. Këtë gjë gjatë debatit për rishikimin e buxhetit e kishte deklaruar deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri që sot u konfirmuar nga Banka Popullore, e cila në projeksionin e fundit rishikoi normën e inflacionit nga 2.2 përqind në 2.5 përqind për këtë vit.
“Personalisht ajo që është brengë e imja, ajo që më shqetëson mua dhe nuk do të dëshiroja të ndodhte është lëvizja e inflacionit. Nuk dua të krijoj hamendje te bizneset te qytetarët, te bizneset, te investitorët, por ne jemi këtu për ta thënë atë që e ndjejmë, atë që dijmë me lexu dhe ta paraqesim si breng që gjithë ne së bashku të japim kontribut që të mos ndodhë. Inflacioni është 2.1 i planifikuar. Po mos të harrojmë se nga ky muaj futemi në një fazë të vitit ku neve na vijën vëllezërit tonë nga kurbeti, nga mërgimi të cilët sjellin shumë mjete të freskëta, të pastërta këtu. Ne e dimë se një pjesë shumë e madhe e atyre mjeteve mbeten këtu, kjo është periudha korrik-gusht, ku rritet kërkesa për mallra dhe shërbime, dhe elementarja në ekonomi është se rritja e kërkesës për mallra dhe shërbime bën presion të çmimet. Mendimi im është, fatkeqësisht, që qeveria pak ose aspak nuk i ka marrë për bazë këto mundësi, këto presione inflacioniste, ndërsa ne e dimë që rritja e inflacionit bën presion në rritjen e normave të interesit, rritja e normave të interesit shkakton problem te borxhi publik, ndërsa borxhi publik është më mirë si temë mos ta hapim fare. 62% është planifikuar ndërsa jemi të sigurt se trendi rritës i borxhit publik do të vazhdon. Pra, kjo rritje, kjo fryerje e madhe e këtij buxheti mendoj se ka mundur të dizajnohet në një formë reale duke i dhënë përparësi konsolidimit fiskal, dhe së paku rritja e shpenzimeve publike të ishte në nivelin e njëjtë sa kemi rritje të të hyrave publike, në mënyrë që të mos bëjmë presion eventual në inflacionin.”, kishte deklaruar Aziri.
Rritja e lehtë sipas BPRM-së është për shkak të ndryshimeve në çmimet e konsumit.