Nedellkov: Nuk ka prapakthehu nga greva e planifikuar pa rritje të pagave
Shkup, 30 mars – Që nga shpallja e vendimit tonë për grevë të përgjithshme, mbrëmë rreth orës 19, deri më tani nuk kemi marrë asnjë mesazh apo kërkesë për takim pune, shpresojmë ta marrim në ditët në vijim. Ditët e fundit ka pasur përpjekje intensive për negociata me Qeverinë të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, deklaroi Jakim Nedelkov kryetar i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Republikës së Maqedonisë – SASHK.
Sindikata në seancën e djeshme vendosi që nga 11 prilli të organizojë grevë të punonjësve në arsim dhe kopshtet për fëmijë dhe se vendimi mbështetet nga një përqindje e madhe e anëtarëve të saj për shkak se kërkesat për rritje të pagave nuk janë plotësuar në përputhje me harmonizimin minimal dhe të duhur të kontratave kolektive në arsim dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Pa pozicion fillestar – tani dhe menjëherë, gjë që është e papranueshme për ta, as nuk mund të dalim nga greva e paraparë dhe as të flasim për reforma të caktuara që Qeveria i parasheh për periudhën e ardhshme në fushën e arsimit. Prandaj është e rëndësishme tani që të rriten pagat në mënyrë që të kemi hapësirë për të vazhduar. Përndryshe, nëse nuk kemi ndonjë propozim, si mund ta mbyllim grevën”, tha Nedellkov në konferencë për shtyp.
Këshilli i SASHK udhëzoi bordet regjionale që të ndërmarrin të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e grevës së përgjithshme në kopshte për fëmijë dhe shkolla fillore dhe të mesme me anëtarët e SASHK, si dhe në institucionet ku punonjësit e tjerë do të solidarizohen.
“Greva do të ishte klasike, që do të thotë se punonjësit që do të jenë në grevë nuk do të pranojnë fëmijët në kopshte, nuk do të zhvillojnë mësime dhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me mësimdhënien, që do të nënkuptonte ndërprerje të procesit arsimor”, informoi SASHK.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si do të kujdesen fëmijët parashkollorë gjatë grevës, Nedellkov tha se përgjegjësia për punën dhe funksionimin e kopshteve për fëmijtë është e punëdhënësit, i cili, siç tha, është i obliguar të sigurojë kushte për punë.
Në pyetjen se a do të detyrohen të punojnë gjatë grevës të punësuarit që nuk janë anëtarë të SASHK-ut, Nedellkov u përgjigj se në Ligjin për marrëdhëniet e punës ekziston dispozitë që kushdo që nuk është anëtar i organizatorit të grevës apo anëtar i ndonjë sindikate tjetër, mund në mënyrë solidare t’i bashkohen grevës.
“Kolegët që në mënyrë solidare do të bashkohen grevës janë të mbuluar ligjërisht dhe kanë të drejta të njëjta me kolegët e sindikatës sonë”, shtoi Nedellkov.

