Në Zagreb do të mbahet Forumi ekonomik ballkanik
Zagreb, 18 tetor – Forumi ballkanik ekonomik – BEF sot do të mbahet në Zagreb, Republika e Kroacisë, nën patronazhin kryesor të Central European Initiative (CEI), të cilën BEF 2024 e emëron si ngjarjen e saj kryesore të vitit.
Forumi, i cili, siç theksohet, “fillimet e tij i ka në Maqedoni, sërish do të bashkojë në një vend liderët ekonomik, politik dhe akademik të Evropës”. Pas edicioneve të suksesshme në Shkup dhe Tiranë, konferenca kryesore rajonale Forumi ekonomik ballkanik rikthehet me një edicion të ri i cili këtë vit do të mbahet në Zagreb.
“Forumi i sivjetshëm do të bashkojë liderët dhe inovatorët nga Ballkani dhe Evropa për të shkëmbyer informacione, përvoja dhe rekomandime për përballje me sfida ekonomike rajonale dhe promovimin e rritjes së qëndrueshme. Duke u fokusuar në stimulimin e rritjes së gjelbër dhe tranzicionit, BEF 2024 do të ketë katër panele: Ekonomi rrethore; Inovacione dhe sipërmarrja; Rezistenca ndaj ndryshimeve klimatike dhe Energjia e pastër. Në konferencë marrin pjesë ekspertë të lartë nga fushat e tyre nga 12 vende anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore”, deklaroi në prag të edicionit të ri kryetari i BEF-it, Sasho Qosev.
Nga Forumi ekonomik ballkanin kumtuan se qëllimi përfundimtar i Shoqatës për zhvillim rajonal është të bëhet një platformë rajonale ku ekspertët, profesionistët dhe liderët nga Ballkanit dhe bota, figura të shquara nga sektori publik dhe privat, akademikë, studentë, mediat dhe të tjerë ndajnë idetë dhe propozimet për sfidat më të mëdha ekonomike që duhen zgjidhur dhe kapërcyer në rajonin e Ballkanit, duke dhënë në këtë mënyrë mbështetjen e saj për përpjekjet e qeverive të vendeve të rajonit për të arritur një ndikim të qëndrueshëm në nxitjen e rritjes ekonomike, bashkëpunimit rajonal, paqes dhe sigurisë.