Në UEJL tryezë për bashkëpunim mes amb.franceze me institucionet arsimore

Shkup, 17 mars – Universiteti i Evropës Juglindore sot ishte nikoqir i tryezës së rrumbullakët me temë “Puissance douce franceze” në Ballkanin perëndimor. Ngjarja u organizua nga Instituti “Maks van der Shtul” dhe Zyra për bashkëpunim ndërkombëtar.

Rektori i UEJL-së, Abdulmenaf Bexheti deklaroi se debati do të ndihmojë si të kahëzohen sinergjitë për bashkëpunim më cilësor të shtetit francez përmes ambasadës dhe Universitetit.

“Nuk ka vend më të mirë dhe platformë më të mirë për promovim të atyre vlerave se sa në UEJL. Ekziston bashkëpunim akademik për zhvillim të programeve studimore dhe programeve mësimore, bashkëpunim në punën shkencore hulumtuese dhe projektet shkencore si dhe njëkohësisht edhe impaktin shoqëror të Universitetit. Në të gjitha këto tre shtylla si dhe projektin që e bëjmë dhe realizojmë tani me Universitetin nga Franca do të hapë mundësi për bashkëpunim edhe në projekte të tjera të ardhshme”, deklaroi Bexheti.

Siril Bomgartner, ambasador i Francës, theksoi se në qytetin e Tetovës bashkëpunim të rëndësishëm ka kryer qendra për gjuhë dhe kulturë të gjuhës franceze.

“Duke vepruar sipas detyrës për t’i vizituar qytetet, në Tetovë shoh se është qytet shembullor për bashkëekzistencë. Qëllimi im është mbështetja e përpjekjeve të cilat bëhen në këtë drejtim. Në qytet Aleanca franceze është partneritet me Tetovën derisa UEJL është super e ranguar si partnere e ambasadës dhe vazhdimisht e thellojmë bashkëpunimin”, deklaroi ambasadori.

Pjesë të diskutimit ishin përfaqësues nga sektori joqeveritar të cilët bashkëpunojnë në projekte dhe mbështeten nga ambasada franceze.