Në Tetovë u mbajt debat në kuadër të procesit “Mëso me mençuri, puno profesionalisht”

Tetovë, 21 mars – Në Komunën e Tetovës sot u mbajt takim konsultues midis përfaqësuesve nga institucionet në kuadër të procesit “Mëso me mençuri, puno profesionalisht”. Në takim ishin të pranishëm ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Kjo është ngjarje e cila është pjesë e dialogut midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve tjera kompetente në sferën e arsimit me kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale, sektorin e biznesit, përfaqësues të shkollave të mesme profesionale dhe organizata ndërkombëtare dhe në drejtim të krijimit të politikave të regjistrimit për vitin shkollor 2022-2023 dhe avancimin e arsimit të mesëm profesional”, deklaroi ministri Shaqiri.
Për procesin “Mëso me mençuri, punon profesionalisht” kryetari i komunës së Tetovës, Kasami theksoi se si komunë janë të hapur dhe të përkushtuar të jenë pjesë e debatit, por edhe nga strukturimi i orientimeve dhe lëndëve për shkollat e mesme profesionale.
“Me qëllim që sa më shpejtë të hyjnë në një fazë tjetër të konsolidimit në drejtimet që i kanë, por edhe në fusha të tjera interesi, që përkon me kërkesat e kompanive për staf të kualifikuar. Bashkëpunimi i institucioneve publike dhe sektorit privat mbetet i rëndësishëm në procesin e promovimit të arsimit profesional në shkollat e mesme të komunës sonë, por edhe në nivel shtetëror. Së bashku, duke analizuar, por edhe duke ofruar modele bashkëpunimi dhe promovimi, mund të krijojmë një mundësi më të mirë për zhvillimin modern të shkollave profesionale”, deklaroi Kasami.
Qasja e tillë ndaj shkollave profesionale, konkludoi Kasami, të rinjve do t’u ofrojë punësim të sigurt në tregun e punës.