Në Tetovë do të prodhohen vetura elektrike, Qeveria aprovoi ndihmën shtetërore për fabrikën e re

Tetovë, 11 gusht – Në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të prodhohen vetura elektrike e-go, pasi që Qeveria në seancën e sotme të 68-të siguroi kushte për investim miliona dollarëshe nga NEXT.E.GO MOBILE SE. Ahen, Gjermani me të cilin në ZHTI Tetovë do të hapen 3-4000 vende të reja pune.

Qeveria, siç informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në seancën e sotme të 68-të e ka miratuar informacionin dhe ka marrë vendim për dhënien e pëlqimit të Marrëveshjes për dhënien e ndihmës shtetërore të lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar dhe e prezantuar nga Drejtoria për Zonat zhvillimore teknologjike industriale dhe “NEXT.E.GO MOBILE”.

“Kjo është për herë të parë në industrinë e automobilave në vendin tonë që do të prodhohet një automjet i plotë dhe sigurisht që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike”, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

Përfitimet, thuhet në kumtesë, nga ky investim janë të shumëfishta – nga hapja e vendeve të reja të punës, eksporti i produkteve me vlerë të lartë të shtuar, transferimi i njohurive dhe teknologjive, hartëzimi i vendit nga investitorët e huaj në këtë fushë, deri te kontrata dhe punë shtesë për kompanitë vendase.

Ndryshe pronarët dhe menaxherët e kësaj kompanie janë familja Destani nga Tetova.