Në subvencionet bujqësore a është kriter etnia?

Shkup, 10 maj – Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Por, për pjesën shqiptare nuk është vetëm kjo arsyeja e vetme, shumë prej bujqve shqiptarë ndjehen të diskriminuar edhe në subvencionet apo ndihmën që e marrin nga shteti, shkruan Zhurnal.

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Subvencionet bujqësore janë ndihmë shtetërore për bujqit që aplikohen kudo në botë, ngjashëm edhe në vendin tonë. Por për dallim prej shteteve tjera ku duhet plotësuar kritere të natyrave bujqësore për shfrytëzimin e këtyre ndihmave, në vendin tonë ka pasur situata që bujqit kanë paraqitu pakënaqësi se po diskriminohen në baza etnike.

Një gjë e tillë vërtetohet nga fakti që muaj më parë ministri i ri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, në Qeverinë e Kovaçevskit, ka nënshkruar mbi 900 kontrata për shfrytëzimin e tokës bujqësore deri më 3 hektarë për bujk. Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë gjithsej janë ndarë mbi 4000 hektarë tokë bujqësore, por ajo që bie në sy është se tokat e shtetit ndahen vetëm në qytetet etnikisht të pastra maqedonas, kurse siç kuptohet shpalljet për toka bujqësore në qytetet e banuara me shqiptarë janë shfuqizuar dhe nuk do të nënshkruhen.

A bëhet fjalë për diskriminim në baza etnike, mund të konstatohet lehtë nëse kemi parasysh se tokat e ndara sipas njoftimit të Ministrisë së bujqësisë kanë qenë këto qytete: Manastir, Makedonski Brod, Vinicë, Dellçevë, Vinicë, Kriva Pallankë, Kavadarci, Negotinë, Veles, Rosoman, Gjevgjeli, Prilep, Berovë dhe Shtip.

Por më e rëndë se kjo është fakti se përfaqësuesit politik shqiptarë merren me punët e jashtme e punë më të rëndësishme sipas tyre sektori bujqësisë nuk është i rëndësisë së veçantë. Nuk e ka ngritur zërin askush e asnjëri prej tyre për këtë diskriminim që iu është bërë bujqve shqiptarë.

Diskriminimet në ndarje të subvencioneve e tokës bujqësore vetëm sa e shtojnë edhe më tepër ekzodin masiv të të rinjve shqiptarë që të braktisin vendin e tyre në kërkim të një vendi ku ka punë e mirëqenie sociale, ku nuk vlerësohesh me kriter etninë, ku ka jetë mbi të gjitha.

Shqiptarët përgjatë kohës që kanë qenë të pa arsimuar shpëtim e zgjidhje të vetme për mbi jetesë ka qenë puna bujqësore, pa çka se në vazhdimësi janë diskriminuar sërish kanë vazhduar alternativë tjetër nuk kanë pasur, sepse arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut atë kohë nuk ka qenë as e imagjinuar.

Por me kalimin e kohës arsimimi i shqiptarëve në vend e jashtë vendit ndikoi dukshëm në rritjen e vetëdijes dhe hapjen e diapazonit edhe për këtë popull të shtypur në çdo sferë, me çka kuptuan se nga ajo punë e lodhshme nuk marrin shpërblimin e duhur. Përpos kësaj e kuptuan që kolegët e tyre bujq maqedonas përfitojnë nga shteti e stimulohen. Prandaj gjenerata e reja duke qenë dëshmitarë të asaj që kanë përjetuar prindërit e tyre kanë hequr dorë nga bujqësia.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka 1 milion e 265 mijë hektarë tokë bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, 517 mijë hektarë u shfrytëzuan si tokë e punueshme për kultivimin e produkteve bujqësore, përderisa pjesa tjetër u shfrytëzua për kullota.

Tri dekada më parë kanë qenë 660 mijë hektarë tokë e punueshme bujqësore, që i bie se kanë qenë 150 mijë hektarë më shumë sesa tani. Maqedonia e Veriut brenda vitit ka nevojë për 200 mijë tonë grurë, ndërkohë që këtë vit pritet të prodhohen rreth 50 tonë më pak nga kjo vlerë, dhe pjesa tjetër e kërkesës duhet të importohet.

Të dhënat e Entit shtetërorë të Statistikave thonë se Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 700 milionë eurosh, ndërkohë që ka eksportuar diçka më pak se 400 milionë euro.

Bujqit thonë se shteti duhet të mendojë seriozisht rreth subvencioneve dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për blerje e prodhimeve vendore, për të mbajtur gjallë sektorin e bujqësisë, i cili është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit./Zhurnal.mk