Në Sofje do të nënshkruhen marrëveshje mes muzeve të Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Serbisë

Shkup, 1 dhjetor – Marrëveshjet për aktivitete të përbashkëta ndërmjet Institutit kombëtar arkeologjik dhe Muzeut të Akademisë bullgare të shkencave, Muzeut arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Muzeut kombëtar të Serbisë do të nënshkruhen sot në Ministrinë e Kulturës së Bullgarisë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja.

Muzetë do të përfaqësohen nga drejtorët e tyre. Në ngjarje do të marrin pjesë ministri i Kulturës së Bullgarisë, Velisllav Minekov dhe ambasadorët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Sofje, Agneza Rusi Popovska dhe Zhelko Joviq.

Qëllimi kryesor i marrëveshjeve është zbatimi i një projekti të përbashkët ndërmjet tre instituteve kombëtare me qëllim të prezantimit të një ekspozite të përbashkët në Shkup, Beograd dhe Sofje. Ekspozita duhet t’i tregojë materialet dhe historinë e hulumtimit të nekropolit antik, i zbuluar në vitin 1918 afër Trebenishtes në bregun verior të liqenit të Ohrit gjatë aktiviteteve të ndërtimit të njësive inxhinierike bullgare, ndërsa më vonë i eksploruar nga arkeologë bullgarë, serbë dhe maqedonas në dekada të ndryshme të shekullit të 20-të.

Qëllimi i ekspozitës dhe projektit nuk është vetëm mbledhja e gjetjeve përfaqësuese që tani për herë të parë pas 100 vjetësh mbahen në muzetë në Shkup, Ohër, Sofje dhe Beograd, por edhe të tregojë vullnetin e përbashkët për bashkëpunim dhe miqësi mes tri vendeve.